Protagonist i padiskutueshëm për kthesën e Teutës ishte një 20- vjeçar. E nisi lojën nga stoli, por një veprim akrobatik në shtesë i Lorenco Vilës solli edhe fitoren. Një i ri i talentuar dhe me ëndrra të mëdha jep shpresë për vazhdimësinë në Durrës. Sulmuesi rrëfen emocionet e suksesit ndaj Skënderbeut, porositë që i dha trajneri dhe idhujt.

Lorenco, sa vlerë pati kjo fitore për Teutën?

Sikundër e thashë edhe pas ndeshjes, erdhi në kohën e duhur pas asaj jave të vështirë që kaluam. Treguam se Teuta ka grintë dhe karakter dhe mbi të gjitha nuk di të dorëzohet as përballë një kundërshtari që vinte me moral të lartë pas dy fitoreve radhazi.

E nisët nga stoli lojën dhe në fund vulosët fitoren. Ishte kjo ndeshja më e mirë në planin personal? 

E rëndësishme është që skuadra mori pikët. Unë bëj maksimumin. Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Është kënaqësi të jem pjesë e kësaj skuadre. Do të bëj gjithnjë më të mirën dhe do të dëgjoj këshillat e trajnerit. Jam gati për të bërë sezon të suksesshëm me Teutën.

 Një roveshatë perfektë, çfarë menduat kur bëtë atë veprim akrobatik?

Nuk u mendova dy herë. Kur pashë topin që me erdhi, godita menjëherë, edhe pse me pak fat shkoi në rrjetë. Ishte një gol mjaft i bukur dhe jam shumë i kënaqur, por sidomos me 3 pikët. Një moment jashtëzakonisht shumë emocionues për mua, pasi e prisja këtë moment prej kohësh. Shënova ndaj Bylisit, por m’u anulua. Jam i lumtur që i dhashë ekipit një fitore të rëndësishme në një moment të delikat.

 Jeni 20 vjeç dhe luani në elitë. A është ky realizimi i një ëndrre?

Është një ëndërr që sapo ka nisur. Trajneri Shkëmbi më ka besuar shumë dhe më ka dhënë hapësira, ndaj shpresoj të vazhdoj kështu e të justifikoj besimin e tij deri në fund.

Ku e sheh veten Lorenco në një të ardhme të afërt? 

Unë nuk mendoj për më vonë, pasi duhet të jem i përqendruar te Teuta, megjithatë shpresoj të shkoj sa më lart në karrierë.

 A keni një idhull në repartin tuaj dhe cili është ai?

Si sulmues më pëlqen shumë Kristano Ronaldo. Është e vështirë të arrish nivelet e tij, por është lojtari që unë ndjek.