Igor Angelovski, trajner i përfaqësuese maqedonase të futbollit ka publikuar listën me 23 futbollistë të grumbulluar për dy sfidat e radhës, me Izraelin në Haifa dhe Shqipërinë në Strumicë. Siç dihej në listën e të ftuarëve bëjnë pjesë edhe mjaft futbollistë me origjinë shqiptare që kohët e fundit janë bërë shumë të njohur për shkak të sfidave europiane me klubet e tyre.

Dyshja e Shkëndijës së Tetovës, Hasani dhe Radeski, janë ndër më të njohurit për publikun shqiptar, por edhe Enis Bardhi i cili pak kohë më parë u transferua në Spanjë, tek Levante. Në listë është edhe sulmuesi i Leeds United, Ezgjan Alioski i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Luganos së bashku me Sadikun ndërsa këtë sezon luan me të njëjtin ekip me Caleb Ekuban, ish-futbollistin e Partizanit. Alioski shënoi golin e vetëm për Maqedoninë në takimin e parë të luajtur në “Loro Boriçi” që përfundoi 2-1 në favor të kuqezinjve.

Në listë është edhe dyshja e sulmit të Palermos, Nesterovski-Trajkovski, si dhe sulmuesi Goran Pandev. Ndërkohë, është ftuar edhe 23-vjeçari David Babunski, i rritur si futbollist në akademinë e Barcelonës, por që nuk kishte fat në eksperiencën e tij të shkurtër në Serbi dhe tashëm është pjesë e Jokohama Marinos në Japoni.

Portierë:

Stole Dimitrievski (Granada), Deni Iliev (Arsenal), David Mitov Nilsen (Norceping)

Mbrojtësi:

Stefan Ristovski (Sporting), Kire Ristevski (Vasas), Darko Velkovski (Vardar), Gjoko Zajkov (Sharlroa), Visar Musliu (Vardar), Kristijan Toshevski (Pelister).

Mesfushorë:

Stefan Spirovski (Vardar), Ferhan Hasani (Shkëndija), Ezgjan Alioski (Leeds), Enis Bardhi (Levante), Boban Nikolov (Vardar), David Babunski (Jokahama), Lupco Doriev (Akademija Pandev), Nikola Gjorcev (Tvente), Elif Elmas (Fenerbahce).

Sulmuesi:

Goran Pandev (Genoa), Ilija Nestorovski (Palermo), Ivan Trickovski (AEK Larnaka), Aleksnadar Trajkovski (Palermo), Marjan Radeski (Shkëndija).