Teuta pësoi humbjen e parë sezonale dhe e bëri këtë në transfertën ndaj Vllaznisë kryesuese, ndërsa trajneri i durrsakëve, Edi Martini pranoi se ishte një ditë shumë e keqe për të tijtë, pasi nuk bënë asgjë në fushë.

Edhe Milani ishte pa humbje, por u mposht, ndërsa ju e pësuat disfatën e parë pas tyre.

Të humbësh me kryesuesit edhe qëndron…Humbja do të vinte një ditë dhe për këtë ishim të ndërgjegjshëm, por më vret mënyra se si vjen kjo disfatë. Mendoj se kemi bërë ndeshjen më të keqe që kur kam ardhur te Teuta dhe kjo është ajo që më shqetëson më shumë.

Teuta nuk ia doli të përfitojë as nga superioriteti numerik përreth 30 minuta…

Është e vërtetë dhe kjo është gjëja që më shqetëson më shumë. Nuk ishim në asnjë moment në lojë dhe madje edhe kur ishim me një lojtar më shumë, kundërshtari dukej më i freskët dhe më i qartë në manovër.

Dukej sikur edhe gjithë natën të luanit, nuk do të ndryshonit gjë në Shkodër. Pse Teuta luajti nën nivelin e saj?

Keni shumë të drejtë, bëmë një paraqitje shumë të dobët në të gjithë drejtimet. 9 pikë nuk janë shumë, pasi ka edhe shumë javë kampionat, por më shqetëson paraqitja pasi ishim në një ditë shumë të keqe.

E njihnit Vllazninë? Pse nuk funksionoi strategjia juaj?

E njihnim shumë mirë dhe ia dinim të gjithë pikat e forta e të dobëta, por edhe në ato pak momente të mira që patëm, nuk i zgjidhëm mirë. Ishte një ditë e keqe.

A prisni ndonjë dhuratë nga merkatoja?

Kemi piketuar 2-3 futbollistë që mund të na sjellin diçka më tepër, por të shohim si do shkojnë negociatat deri në fund të muajit. Shpresoj të përforcohemi dhe të kemi më shumë alternativa.

Djali juaj tha se nuk i intereson Teuta, pasi bën tifo për Vllazninë. Ai duhet të jetë i lumtur tani?

Me të do merrem kur të shkoj në shtëpi (qesh)…