Mënyra më e mirë për të harruar izolimin është stërvitja. Kështu mendon mesfushori kosovar i Teutës, Florent Avdyli, i cili ka folur sa i përket situatës së pazakontë që ka prekur Shqipërinë, ashtu si edhe gjithë pjesën tjetër të Europës.

Florent, si po i kaloni këto ditë izolimi dhe sa ndihet në Kosovë përhapja e koronavirusit?

Që kur u ndërpre kampionati, u largova nga Durrësi dhe po qëndroj në Prishtinë bashkë me familjen në këto ditë të vështira. Falë Zotit këtu në Kosovë situata është disi më e qetë. Lutem përditë që gjithçka të kalojë shpejt dhe t’i kthehemi normalitetit.

Çfarë bëni për të shtyrë kohën në izolim?

Mënyra më e mirë është stërvitja. Por, ka edhe raste kur bëj një shëtitje 20 minutëshe, gjithmonë duke zbatuar rregullat. Shikoj ndonjë film apo edhe lexoj diçka që më parë nuk kam pasur kohë ta bëj.

Është e vështirë për një futbollist që të përshtatet në këto kushte?

Kjo është një situatë shumë e vështirë për të gjithë njerëzit. Por po ashtu edhe për ne sportistat që po mundohemi për t’u stërvitur në shtëpi dhe duke dalë në disa raste edhe jashtë për vrapime.

Më konkretisht çfarë programi ndiqni për të mbajtur formën fizike?

Trajneri Martini na ka lënë një program, por është shumë e vështirë për ta realizuar, sepse duhet të ndjekim disa rregulla të doktorëve. Ne flasim fillimisht me dy trajnerët Bledar Hodo dhe Eduard Salillarin, ku u tregojmë çdo stërvitje që bëjmë edhe pastaj me profesor Martinin. Në fillim na është këshilluar edhe stërvitja në ambient më të hapur, por gjendja erdhi duke u vështirësuar dhe po bëjmë në shtëpi disa gjëra të vogla, që me rëndësi është të ruajmë formën dhe gjendjen e mirë fizike.