Kapiteni i Kombëtares, Mërgim Mavraj, ka kërkuar falje publike të dielën për kartonin e kuq që mori një natë më parë duke lënë shokët e skuadrës me një futbollist më pak përballë Skocisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Mavraj tha se ai ishte një “moment dobësie” ndërsa kujtoi se për Kombëtaren ka luajtur edhe i dëmtuar.

“E ndjej të kërkoj publikisht falje për atë moment dobësie. Të gjithë gabojmë dhe këtë herë më ndodhi mua. Për Kombëtaren kam luajtur dhe i dëmtuar madje në situata edhe shumë më të vështira, ndaj ajo që kërkoj është të më kritikoni, sigurisht, por jo të vini në diskutim respektin dhe dashurinë për këtë fanellë e këto ngjyra. Shohim përpara, me bindje se Shqipëria do të kthejë kapitull. Të gjithë bashkë mund t’ia dalim përsëri, por nëse jemi të ndarë ateherë mund të na mposhtë kushdo”, shkruan Mavraj.