Debati mes Frenk Lampard dhe Hoze Murinjo ishte një nga pikat më interesante të ndeshjes së djeshme në Kupë mes Totenhemit dhe Çelsit. Të dy trajnerët patën një moment gjatë pjesës së parë kur u kapën me fjalë, një situatë e cila gjithsesi kaloi shpejt duke qenë se të dy njihen mirë prej kohës kur Murinjo ka qenë trajner i Lampard.

Ndërkohë, pas ndeshjes tekniku luzitan ka zbardhur edhe debatin me ish-mesfushorin, teksa shprehet se Lampard nuk duhet të jetë shumë aktiv në momentin kur ekipi i tij po fiton, por duhet të shfaqet më shumë kur skuadra e tij po humbet dhe këtë sipas Murinjos, ai nuk e bëri kur Çelsi po humbte ndaj Uest Brom 0-3 në pjesën e parë.

“E vetmja gjë që i thashë ishte një opinion, një opinion nga një trajner i vjetër në drejtim të një të riu. Ne duhet të jemi pranë skuadrës kur ata po humbasin dhe në ndeshjen e fundut Çelsi po humbte 0-3 dhe unë u ndjeva keq për Lampard pasi ishte ulur në stol dhe ishte shumë i qetë. Në terma futbolli nuk kam shumë çfarë t’i mësoj, por duhet të qëndroj i qetë kur skuadra e tij po fiton”, u shpreh Murinjo.