Fitore me përmbysje për Napolin që e thellon përkohësisht në 4 pikë avantazhin ndaj Juventusit dhe në +5 ndaj Interit. Sampdoria kaloi dy herë në avantazh, bëri shumë rezistencë dhe e vuri jashtëzakonisht në vështirësi skuadrën e Sarrit por në fund doli pa pikë nga San Paolo.

Marek Hamsik ishte njeriu simbol pasi me golin që realizoi mesfushori sllovak jo vetëm që përmbysi shifrat në 3-2 duke i dhënë fitoren skuadrës së tij por u bë golashënuesi më i mirë i të gjithë historisë së klubit të kaltër me 116 finalizime, 1 më shumë se legjenda Diego Armando Maradona.

Në San Paolo sfida nisi me një supergol të Ramirez por Allan shumë shpejt barazoi rezultatin ndërkohë që Quagliarella në të 27-tën kthehu në gol një 11-metërsh për të kaluar sërish në epërsi dorianët. Megjithatë reagimi i Napolit erdhi që në pjesën e parë pasi Insigne dhe më pas Hamsik përmbysën rezultatin me golat e tyre. Pjesa e dytë nuk prodhoi më gola ndërkohë që Napoli e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Mario Ruit në të 77-tën.

Me këtë fitore të kaltrit u ngjitën në kuotën e 45 pikëve.Në 16 javë kampionat Interi i Spallettit nuk kishte pësuar asnjë humbje por në vetëm 2 javë zikaltrit pësuan dy disfata radhazi. Pas humbjes ndaj Udinenes, Interi u mposht edhe nga Sassuolo në Mapei Stadium me rezultatin 1-0. Formacioni nga Reggio Emilia u konfirmua si macja e zezë e Interit në kampionat pasi përballë zikaltërve Sassuolo regjistroi fitoren e 5-t në 6-t ndeshjet e fundit.

Ai që tradhëtoi Interin në këtë sfidë ishte futbollisti më i mirë i skaudrës kapiteni Icardi i cili humbi gjithçka që i doli përpara, madje edhe një 11-metërsh në fillimin e pjesës së dytë që mund të kishte ndryshuar fatet e takimit. Ishte një ndeshje e dominuar nga zikaltrit të cilët shpërdoruan shumë raste dhe në fund dolën pa pikë nga Mapei Stadium dhe tashmë rrezikojnë ndjeshëm edhe pozicionimin në 4-shen e parë.

Në ndeshjet e tjera Benevento nuk arriti të merrte dot pikën e dytë pasi u mposht në fund nga Genoa me një penallti të kthyer në gol nga Lapadula. Luajti si titullar Berat Gjimshiti ndërkohë që nuk u aktivizua fare Ledian Memushaj te Benevento. Vijoi ecurinë e mirë Udinese që mposhti 4-0 Veronën ndërkohë që sfida tjetër Spal-Torino përfundoi në barazim 2-2.