Prej disa ditësh ka marrë një vëmendje të madhe ndërhyrja e ushtrisë turke në Siri, mirëpo kjo çështje edhe pse është e lidhur ngushtësisht me politikën e shteteve ka prekur edhe futbollin. Së fundmi, shumë prej lojtarëve turq kanë bërë deklarata apo mesazhe në rrjetet sociale pro veprimeve të ushtrisë. Ndërsa, gjesti në fushë në festën e golit të shënuar ndaj Shqipërisë duket se ishte i tepruar.

Futbollistët u rreshtuan dhe përshëndetën në mënyrë ushtarake. Një gjest i cili në atë moment nuk ishte vënë re nga presidenti i zyrës së shtypit në UEFA, Filip Tounsend. I pyetur pas ndeshjes, njeriu i UEFA-s është shprehur se ky veprim mund të konsiderohet edhe si provokim dhe se situata do të shqyrtohet më me detaje.

“Personalisht nuk e kam parë gjestin në fushë, i cili në çdo rast mund të merret si një provokim. Rregullat ndalojnë referimet politike dhe ato religjioze? Po, dhe mund të garantoj se do ta shqyrtojmë këtë rast. Do ta kontrolloj”, u shpreh Tounsend.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë UEFA, nëse do ta kalojë me një gjobë të majme për Federatën, apo do të ketë diçka më shumë.