Ka ende shumë kohë deri në fundin e merkatos, por deri në ditën e sotme mund të nxjerrim përfundimin se skuadrat e mëdha të ligës spanjolle po bëjnë “ligjin” dhe janë të parët për milionat e shpenzuar. Reali i Madridit, Barcelona dhe Atletiko janë përkatësisht 3 skuadrat e para që kanë shpenzuar më shumë në Europë deri në këto momente. “Galaktikët” nuk kanë rivalë dhe ndiqen nga skuadrat e tjera të kampionatit spanjoll.

Një vend nderi në këtë renditje e ka Sevija, e cila është e gjashta, ndërsa mes Atletikos dhe andaluzëve janë dy gjermanët: Borusia e Dortmundit dhe Bajerni. Në katër vendet e fundit janë skuadrat e Romës, Aston Vilës, Mançester Sitit dhe Interit. 120 milionë eurot e paguara për Grizmanin e rendisin Barcelonën në vendin e dytë të këtij klasifikimi, me 235 millionë euro të shpenzuara, ende shumë larg Realit. Florentino Perez ka nxjerrë nga arkat e klubit 303 milionë euro dhe qëndron në krye të merkatos deri tani. Klubi katalanas ka parakaluar Atletikon, e cila për momentin ka shpenzuar 207 milionë euro për të ndërtuar një skuadër të fortë për Simeonen.

MBI 200 MILIONË – Tri skuadrat e mëdha në La Liga janë të vetmet në Europë që kanë kaluar shifrën 200 milionë euro shpenzime. Atletiko është e vetmja që mund të “buzëqeshë”, sepse i ka bilancet pozitive dhe ka arkëtuar më shumë miliona nga shitjet (311 milionë), kundrejt 106 të Barcelonës dhe 115 të Realit të Madridit.

TË TJERAT – Sevija me Monçin në krye si drejtor ka nisur sërish të funksionojë siç duhet dhe të bëhet protagoniste në merkato, duke shpenzuar 111 milionë euro. Për momentin ka bërë 48 milionë euro shitje. Surprizues është fakti që në këtë listë mungojnë skuadra si PSG-ja, Mançester Junajtid dhe Juventusi. Këta të fundit kanë bërë 2 goditje me kosto 0, si Ramsej dhe Rabio, dhe presin të zyrtarizojnë De Ligtin. Megjithatë, deri në fundin e merkatos mbetet më shumë se një muaj dhe do të ketë shumë transferime. Emra si Nejmar, Kutinjo, Pogba apo Meguajër mund të ndryshojnë renditjen dhe të provokojnë një efekt domino, i cili do të shpërndahet në disa destinacione të ndryshme. Për momentin, transferimet më të mëdha mbajnë firmën e skuadrave të La Ligës.

MË TË SHTRENJTËT – Reali i Madridit, Barcelona dhe Atletiko gjithashtu janë protagoniste në transferimet më të kushtueshme në Europë (Zhoao Feliks, Grizman, Hazard). Gjithashtu, i pesti më i shtrenjtë (De Jong) dhe i shtati (Joviç) janë pjesë e La Ligës. Interesant është fakti që Atletiko e Madridit është skuadra që ka firmën në tri nga gjashtë shitjet më të shtrenjta në Europë (Grizman, Lukas Hernandez dhe Rodri).