Merkatoja e prapavijës së Romës në këtë verë flet shqip. Kjo, jo vetëm për faktin e bisedimeve të zgjatura që vazhdojnë me Napolin për Elseid Hysajn, por ideja e fundit është një tjetër futbollist me gjak shqiptar, Shkodran Mustafi qendërmbrojtësi i Arsenalit, që papritur është shndërruar në një të padëshiruar në radhët e “topçinjve”.

Pas një frenimi që zgjati për afro një javë, dje Roma është rikthyer që të hapë bisedimet me Napolin për Elseid Hysajn. Por, nëse nga klubi i kaltër nënvizohet se presidenti De Laurentis i ka ulur ndjeshëm pretendimet për mbrojtësin e djathtë, duke pretenduar vetëm 20 milionë euro, kundrejt klauzolës 50 milionëshe që 25- vjeçari ka me klubin e tij, oferta e fundit e Romës është 15 milionë euro cash.

Nëse ky kusht pranohet nga ana e nënkampionëve të Serisë A, atëherë Hysaj mund të vishet që sot verdhekuq, por vështirë se De Laurentis mund të pranojë që të “kërcënohet” në një mënyrë të tillë.Ndërkohë, për qendrën e mbrojtjes, emri i ri për të mbushur boshllëkun e lënë nga greku Kostas Manolas është ai i Shkodran Mustafit.

Shqiptari i Maqedonisë, por që ka vendosur të përfaqësojë Gjermaninë, me të cilën u shpall edhe kampion bote në vitin 2014, u ble për shifrën e çmendur të 42 milionë eurove në 2016-ën, por 27-vjeçari ka humbur besimin e stafit teknik dhe atij drejtues, aq sa dje Arsenali ka pranuar ta marrë parasysh ofertën e huazimit me të drejtë blerjeje që Roma ka paraqitur.