Milan ka pësuar një barazim surprizues në shtëpi nga Sampdoria, në një ndeshje e cila i kishte të gjitha brenda, por në fund u mbyll 1-1. Që në fillim Sampdoria u shfaq më kërkuese, duke rrezikuar disa herë portën, por pa sukses, me pjesën e parë që u mbyll me rrjeta të paprekura.

Pjesa e dytë ishte me të vërtetë spektakolare, teksa miqtë gjetën golin e avantazhit në minutën e 58’. Ishte veterani, Fabio Kualjarela, i cili përfiton nga një gabim i Teo Hernandez në mbrojtje, teksa gjuan direkt dhe e ndal topin në rrjetë, pasi Donaruma kishte dalë më shumë sesa duhej.

Vetëm 1 minutë më vonë, skuadra e Ranierit mbeti me 10 futbollistë, pasi Andre Silva u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Nga kjo kuqezinjtë u hodhën tërësisht në sulm, duke krijuar disa raste për shënim, por goli do të vinte në minutën e 87’, ku Jans Hauge, pasi u fut nga stoli, ia doli të dërgojë topin në rrjetë, për të vendosur baraspeshën.

Në minutat e fundit kuqezinjtë i shkuan shumë afër përmbysjes, por gjuajtja e Kesi u ndal në tranversë. Kështu Milani mbetet në vendin e dytë me 60 pikë, 5 pikë më shumë se Juventusi i vendit të tretë që ka 2 ndeshje më pak, dhe 5 pikë më pak se Interi.