Teuta, pas dy fitoreve të fundit ndaj Tiranës në kampionat dhe Kastriotit në Kupë, e ka shtuar optimizmin në grup në prag të sfidës së radhës, ku të shtunën presin Kukësin në “Niko Dovana”.

Ky optimizëm është shfaqur edhe te sulmuesi Lorenco Vila, i cili ka shprehur qartë bindjen e tij se Teuta do të marrë tri pikë edhe këtë javë.Ndërkohë Vila është pyetur edhe për gjendjen e tij pas dëmtimit që pësoi ndaj Tiranës. Ai pohoi se është gati, por edhe po të kishte mëdyshje do të sakrifikonte për të kontribuar për Teutën në rrugën e realizimit të objektivave.

Lorenco, a është gati Teuta për sfidën e radhës ndaj Kukësit?

Teuta është gati për këtë ndeshje. Trajneri na ka folur shumë për këtë takim. Pas suksesit me Tiranën duhet që të jemi edhe më shumë më “këmbë në tokë”. Duhet të luajmë shumë fort. Të japim gjithçka që kemi dhe ta mbyllim këtë vit në një mënyrë të kënaqshme.

Cili është objektivi për këtë takim?

Për ne është shumë e rëndësishme që në ndeshjen me Kukësin të marrim tri pikë. Kam besim tek ekipi për ta arritur këtë gjë. Kemi folur për ndeshjen me Tiranën. E kemi analizuar dhe kemi parë se kemi bërë disa gabime, që për Kukësin duhet që t’i kemi parasysh këto gjëra. Me këto ekipe që kanë shumë cilësi duhet të luajmë më të përqendruar.

Kukësi vjen me moral të ulët, a shikohet ky si një favor për Teutën?

Jo nuk e mendoj ashtu. Kukësi ka shumë lojtarë me kualitet. Ato kanë një ekip të mirë. Kanë bërë mirë këto dy javë, pavarësisht se nuk kanë marrë pikë. Pra, nuk shikoj ndonjë favor. E rëndësishme është që të luajmë mirë, ashtu siç i kemi luajtur të gjitha ndeshjet e tjera.

Do të ishit të kënaqur edhe me një barazim?

Ne jemi ekip i ndërtuar për kampion dhe me çdo kundërshtar luajmë për tri pikët. Por, duhet të shohim lojën. Nëse do marrësh një pikë, varet nga mënyra si e arrin, pasi mund të jesh dhe i kënaqur ose të hidhërohesh se mund të jesh duke fituar dhe pastaj barazohesh. Por, ne do luajmë për tri pikë si gjithnjë.

Të shtunën, të gjithë ju presin në fushë. Jeni gati?

Në fakt, edhe po të mos isha gati, do të mundohesha ta bëj një gjë të tillë pasi përpara është një ndeshje e vështirë ndaj Kukësit. Jam në 100% të formës sime, por, edhe po të mos isha gati, do të mundohesh të jap më të mirën, derisa trajneri më beson formacionin.

Keni ndierë dhimbje gjatë këtyre ditëve në seancat stërvitore?

Kam kryer masazh edhe ushtrime përpara çdo seance stërvitore dhe jam stërvitur me grupin. Nuk di çfarë të them më shumë se kaq. Kjo tregon që jam në formën time.

Do të ketë ndryshime këtë të shtunë Teuta?

Nuk di t’i përgjigjem kësaj pyetjeje pasi këtë e vendos trajneri. Di të them vetëm se në fushë do të zbresin 11 lojtarët më të mirë dhe ata që do të luajnë do të japin maksimumin për ta fituar takimin.

Pas Kukësit vjen Vllaznia, një tjetër ndeshje e vështirë. Mos ndoshta tani nis “malorja” e vërtetë për ju?

Për momentin mendojmë për Kukësin sepse ne i marrim ndeshjet e një nga një. Të përfundojmë këtë javë, pastaj flasim edhe për javët në vazhdim. Nuk besoj dhe nuk do të ketë asnjë “malore” për Teutën.

Së fundmi, kush fiton të shtunën?

Sigurisht Teuta. Teuta nuk do të falë në shtëpinë e saj dhe për këtë ju garantoj që nuk ka për të ndodhur.