Bledi Shkëmbi e pranon që gjendja psikologjike e Teutës nuk është më e mira. E megjithatë, në asnjë moment nuk e mendon që Kupat e Europës po rrezikohen.

Në intervistën e dhënë pas dy ndeshjeve miqësore të luajtura të shtunën, trajneri i durrsakëve ka analizuar paraqitjen e lojtarëve, ndërsa nuk ngurroi që të shpjegonte se mes tij dhe rezervave nuk ka asnjë problem.

Si është gjendja e grupit para Kastriotit?

Nga ana psikologjike nuk është se jemi në gjendjen më të mirë të mundshme. Por për fat të mirë, kemi edhe një javë kohë që të rikuperohemi. Jo vetëm për të kaluar ngërçin që përmenda më lart, por edhe dëmtimet fizike.

Titullarët humbën në të dyja miqësoret që zhvilluat. A ndikon ky rezultat për ndeshjen e ardhshme të kampionatit?

Nuk mendoj se ndikon. Ndoshta mund të jetë një rezultat që bën çudi, por në fund të fundit ishte vetëm një ndeshje stërvitore. Donim që të shihnim disa gjëra, provonim ndonjë skemë dhe ruanim ritmin e kampionatit. Por ndikim nuk mendoj se ka.

Teuta ka disa ndeshje që luan dobët, cila është arsyeja?

Po, është e vërtetë që nuk po luajmë në një nivel të mirë ose shumë të mirë. Mendoj se ka disa arsye, të cilat ne po mundohemi të gjithë bashkë t’i rikuperojmë dhe rregullojmë, pasi duam që të kthehemi aty ky duhet. Shkaqet janë të shumta, por do veçoja ngërçin psikologjik. Javë pas jave nuk po marrim rezultatet që duam.

Si është marrëdhënia me futbollistët dhe veçanërisht me ata të stolit, që kanë pakënaqësi?

Marrëdhënia ime me të gjithë futbollistët, si ata të stolit, fushës apo edhe tribunës, është e njëjta. Pastaj, se si është marrëdhënia e tyre me mua, duhet të pyesni ata. Deri tani nuk është se kemi pasur probleme. Asnjë lojtar nuk më ka sjellë shqetësime përtej vendimit që mund të jetë marrë nëse luan, qëndron në stol apo shkon në tribunë. Mendoj që është diçka, e cila nuk përbën lajm.

Europa është objektivi i Teutës, por a mendoni se tani rrezikoni shumë?

Ne e kemi ditur që në fillim që asgjë nuk do të jetë e thjeshtë për objektivin “Europë”, por nuk rrezikojmë shumë. Ne rrezikojmë po aq sa kemi rrezikuar në fillim, ku kemi dashur të jemi në Kupat e Europës. Objektivi kryesor mbetet vendi i dytë ose i tretë. Përderisa ata që janë pas nesh kërkojnë të na kapin, i bie që neve na mbetet për detyrë që këtë vend që kemi, të mos e lëshojmë.