Merkatoja e Skënderbeut duket se merr një kthesë të fortë pas disa “dështimeve” radhazi për sa u përket objektivave të klubit.

Pasi panë t’u ikte nga duart mbrojtësi i majtë Blerim Kotobelli, i cili përfundoi te Kukësi, tashmë Skënderbeu ka vendosur të kthejë drejtimin e merkatos tek “ish”-ët për t’i bindur që të rikthehen edhe një herë në Korçë.

I tillë është rasti edhe me mbrojtësin durrsak Renato Arapi, i cili në Korçë ka pasur periudhën më të suksesshme të karrierës së tij. Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije se Skënderbeu është duke tentuar një rikthim të Arapit në ekip, rikthim, i cili do të ishte me shumë vlera për Skënderbeun. 

Vetë trajneri Ilir Daja ka dhënë miratimin e tij për këtë operacion për vetë faktin se Arapi së pari e njeh mirë ambientin bardhekuq dhe ka përvojën e duhur në kampionatin tonë për të bërë diferencën. Dhe, së dyti, është një futbollist polivalent, sepse mund të luajë në disa pozicione në fushë. Gjë kjo e fundit që parapëlqehet mjaft nga një trajner si Ilir Daja.

Pavarësisht se dëshira është e madhe dhe nga sa bëjnë me dije burimet tashmë bisedimet mes palëve kanë filluar, operacioni nuk duket edhe aq i thjeshtë. Kjo, edhe për vetë faktin se Arapi është pjesë e Teutës dhe ende nuk e ka ndarë mendjen nëse do të qëndrojë në Durrës apo do të ndryshojë ambient.

Ajo që e vështirëson më shumë këtë tratativë mbetet marrëdhënia e mirë mes Arapit dhe presidentit të Teutës si dhe trajnerit Bledi Shkëmbi, e nga ana tjetër edhe gradimi kapiten te “djemtë e detit”, por që gjithsesi Skënderbeu shpreson që të ketë një mundësi të mirë për të rikthyer në ekip mbrojtësin e majtë me të cilin ka arritur mjaft suksese në Europë dhe kampionat.

Pavarësisht se janë disi të vonuar në merkato, korçarët po punojnë njëherazi në shumë drejtime për sa i përket afrimit të elementëve të rinj në ekip. Merkatoja vendëse mbetet ajo më kryesorja ku Skënderbeu është përqendruar, kjo edhe për shkak të numrit të limituar të të huajve në ekip. Nga kjo anë duket se Hila vijon të jetë në krye të listës së dëshirave të Skënderbeut për ta bërë pjesë të ekipit.

Nëse tregu shqiptar nuk ofron shumë mundësi, nuk mbetet pas edhe merkatoja e huaj. Me pistat e lojtarëve sllavë që tashmë kanë rënë ndjeshëm, korçarët janë duke u fokusuar mjaft edhe në kontinentin afrikan.

Nga sa bëhet me dije, janë disa futbollistë afrikanë që janë në tratativa e sipër me klubin, por për momentin asnjë e dhënë nuk bëhet me dije. Kjo, edhe për të shmangur futjen e klubeve të tjera në këto pista, duke u prishur punë bardhekuqve sikundër ndodhi me Kotobellin.