Skënderbeu e mbylli dje stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes së parë të kampionatit kundër Flamurtarit. Daja fillimisht e ka nisur me analizë dhe ushtrime të thjeshta fizike gjatë paradites dhe më pas me një seancë të plotë pasdite.

Numri një i pankinës korçare ka ndarë edhe formacionin përkatës për këtë takim. Dukshëm që pjesën më të madhe e zënë lojtarët me të cilët Daja ka punuar gjatë kësaj kohe teksa afrimet e fundit do ta nisin nga stoli në pjesën e mbetur të ndeshjes do të ketë hapësira.

Në kushte të tilla gjithçka do të nisë me Koliçin në portë për të vijuar më pas me një rreshtim me katër mbrojtës, ku do të luajnë Vitija në të djathtë dhe Pëllumbi në të majtë të mbrojtjes, ndërsa qendra do të plotësohet nga Pollozhani dhe Turtulli, që do të debutojnë si korçarë në këtë sezon.

Në mesin e fushës, nëse Dita dhe Muzaka janë titullarë dukshëm, Taipi është më i avantazhuar se Daja për të luajtur nga minuta e parë. Kjo, për shkak se e njeh mjaft mirë lojën e grupit. Më tej Gripshi nga e djathta dhe Bregu nga e majta do të mbështesin Blerim Krasniqin, të vetëm në majën e sulmit.