I zhgënjyer normalisht Maurizio Sarri në përfundim të sfidës së humbur me rezultatin 4-2 ndaj Milanit, kjo për vetë faktin pasi Juventusi i tij deri në minutën e 60 kryesonte 2-0 dhe kishte zhvilluar një ndeshje perfekte ndërsa më pas u shkërmoq në harkun e pak minutave duke pësuar 4 gola dhe duke regjistruar disfatën e 4-t sezonale.

“Kemi luajtur 60 minuta fantastike, kemi qenë në kontroll të plotë, por më tej pamë të përmbyseshim totalisht në pak minuta. Kjo ka ndodhur edhe me ekipet e tjera. Është një periudhë e vështirë për të gjithë. Ne duhet të harrojmë gjithçka, sepse brenda disa ditësh do të kthehemi në fushë dhe nuk ka nevojë ta bëjmë dramë. Arsyet e vërteta për këto momente të pashpjegueshme duhen gjetur, gjithsesi, pa bërë gjykim për askënd”.

“Nga pikëpamja fizike dhe mendore, është situatë e ndërlikuar. Momenti është aq i ndryshëm nga humbjet e Veronës dhe Napolit, sa motivimi nuk mund të mungojë. Në mbrojtje vuajtëm shumë, përpara se t’i jepnim edhe një top goli kundërshtarit. Mungesat nuk janë arsyeja e kësaj humbje” u shpreh Sarri.