Teuta rifillon stërvitjen pas fitores ndaj Kastriotit. Skuadra po vuan mungesën e stabilitetit në rezultate dhe kryesisht jashtë fushe, ku ka sigluar vetëm një barazim me Tiranën dhe dy humbje me Luftëtarin dhe Partizanin.

Gjashtë gola të pësuar dhe vetëm një i realizuar, tregon që faktorin fushë po i penalizon. Përballjet shtëpiake kanë qenë pozitive, pasi në 5 takime kanë marrë plotë dhjetë pikë, nga njëmbëdhjetë që kanë në renditje. Ajo çka bën përshtypje në këtë edicion që u nis me pretendime dhe objektiva konkretë, është numri i ulët i tifozërisë. Tifo-grupi “djemtë e detit” nuk janë më të pranishëm si dikur për të mbështetur skuadrën për të mos thënë që nuk janë fare.

Shkallët e “Niko Dovanës në çdo takim të këtij edicioni, kanë pasur numër të vogël shikuesish. Duke llogaritur që skuadra ka zhvilluar ndeshje ndaj Skënderbeut apo dhe Kukësit, sërish stadiumi nuk “oshtinte” nga zhurma e tifozërisë durrsake, gjithmonë janë ndier miqtë. Në Durrës duhet dhe prezenca e lojtarit të 12-të për t’i dhënë akoma më shumë një shtysë në rrugën e saj.

Një skuadre të re i duhet besimi dhe kush më mirë se tifozët me mbështetjen e tyre ua dhuron diçka të tillë. E si për ironi të fatit, është pikërisht Teuta që kryeson renditjen për ndeshjet në shtëpi, duke lënë pas skuadrat e Kukësit e Partizanit. Në shtëpi bregdetarët janë një “kockë e fortë”, kanë pësuar vetëm një gol dhe atë në humbjen e vetme përballë Kukësit. E megjithatë për të qenë i suksesshëm, duhen pikë edhe jashtë fushe dhe reagimi duhet të vijë pikërisht në Kurbin. Përballë do të kenë Laçin që është i pathyeshëm për këtë sezon. E sikur të mos mjaftonte forma e mirë, durrsakët kanë kundër edhe statistikat, pasi u bënë dy vite pa fituar në këtë fushë.