Ja momentet pikante gjatë ndeshjes së djeshme, që nga prania e trajnerit të Kombëtares në tribunë, deri te bisedat e trajnerit të durrsakëve në fund të takimit me yjet e ekipit spanjoll.

* Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ishte i pranishëm në Durrës për të ndjekur Teuta-Granada, e vlefshme për turin e dytë të Europa Ligës.

* Festë e madhe për golin e Soldados. Trajneri i Granadës feston me të gjithë stolin, teksa është i pari i skuadrës së tij në Europë.

* Martini qëndron gjithë kohës në këmbë, kërkon nga lojtarët e tij që të dalin sa më shumë përpara.

* Beqja, pas gabimit që sjell golin e dytë të miqve, provon të motivojë shokët e skuadrës që të mos dorëzohen.

* 15′ Domingos Duarte nxjerr shpatullën pas një përplasjeje me Asion Dajën. Stafi mjekësor e ndihmon ta rikthejë në vend dhe ai vijon lojën. Në pushimin pas minutës së 25- të, stafi mjekësor ia fashon.

* 25′ Arbitri urdhëron për një pushim uji që lojtarët të freskohen. Gjetje ideale për ekipin spanjoll. Peshqirë të ftohtë nga kova në ujë me akull, që lojtarët i vendosin në shpatull dhe qafë. E njëjta gjë edhe në pjesën e dytë, në minutën e 70-të.

* Trajneri Martini ka përfituar nga momenti kur edhe Granada doli sërish në fushë për të bërë fotot historike, për të biseduar pak çaste me sulmuesin Soldado.

* Granada feston kualifikimin historik. Ndeshja e parë në Europa Ligë i gjen të përgatitur spanjollët të cilët kanë përgatitur shallet me të dyja skuadrat. Poza historike në stadiumin “Niko Dovana” e të gjithë skuadrës, e lojtarëve dhe një tjetër e stafit teknik.