Nëse i thua dikujt që e ka ndjekur së fundmi kampionatin se Teuta pësoi humbjen e parë ndaj Luftëtarit më 28 shkurt pas 15 takimesh ku nuk ish larguar asnjëherë “kokë-ulur” nuk do të besonte që është e njejta skuadër.

Çfarë po ndodh me “djemtë e detit”?!

Të dorëzuar atëherë kur duhej të shtrëngonin dhëmbët për të përballuar betejat e fundit dhe më të rëndësishmet. Vetë aktorët e kanë të vështirë të shpjegojnë këtë situatë, një mister, prurjet e janarit deri më tani nuk kanë funksionuar, Amadu Latif duket se është ende në Bjellorusi në pritje për t’u federuar me Shakhtyor Soligorsk, të rinjtë me shumë talent si psh Sherif Kallaku janë përfshirë nga një hije e errët, dhe më kryesorja ku janë “senatorët”?!

Si po thërrmohet në këtë mënyrë një urë e ndërtuar me shumë vështirësi, djerë e gjak gjatë dy fazave të para.

Europa League e cila qëndronte në “breg të Adriatikut” prej shumë javësh duket se po përpihet nga valët e detit dhe tek Teuta ende nuk po e kuptojnë që kështjella e ndërtuar po shkatërrohet përpara syve të tyre. Teuta duhet të zgjihet sa nuk është ende vonë, ndryshe rrezikon të shndërrojë një sezon mjaft pozitiv në një zhgënjim të paprecedent.