Zbardhen detaje të tjera rreth çështjes së shumëpërfolur të testit të italishtes të Luis Suarez për të marrë pasaportën italiane që të siguronte transferimin te Juventusi.

“La Nazione” ka publikuar bisedën mes Ministres së Transportit, Paola De Mikeli dhe shefit të kabinetit në Ministrinë e Brendshme, Bruno Fratasi, ku i kërkohej ndihmë për të kompletuar procedurën e pajisjes së Suarez me shtetësinë italiane.

“Juventusi më kërkon lajme për këtë kërkesë shtetësie, a mund të më ndihmosh?”, janë fjalët e ministres e cila është një mikë fëmijërie e drejtorit sportiv të Juventusit, Fabio Paratiçi. “Bëhet fjalë për një lojtar që Juventusi dëshiron ta blejë. Nuk ka bërë testin pasi është prej 11 vitesh në Europë. A më këshillon ta vë në kontakt Juventusin me një drejtues tëndin pët ë përshpejtuar gjërat?”, tha ajo.

Nga Fratasi erdhi një përgjigje pozitive dhe në zyrat e Minsitrisë u dërgua emri i Luixhi Kiapero, avokati i Juventusit i cili u vu në kontakt me prefektin Mikele Di Bari dhe drejtuesen Antonela Dinaçi.Ministrja, e dëgjuar nga hetuesit më 13 nëntor, ka pranuar përfshirjen e Juventusit.

“Gjatë merkatos u kontaktova nga Paratiçi, mik i imi që nga fëmijëria. Më tha që po blinte Suarez dhe se akordi ishte thuajse i përfunduar. Më shpjegoi që nuk kishte pasaportë italiane, e cila ishte e nevojshme që marrëveshja të mbyllej me sukses. Më kërkoi ta ndihmoja për të mbyllur në kohë këtë aplikim dhe i thashë që do të kontaktoja shefin e e kabinetit në Ministinë e Brendshme, gjë që bëra menjëherë”, shpjegoi asokohe ajo.

Kështu, zbardhja e dëshmisë hedh poshtë atë që deklaroi Paratiçi, i cili kishte hedhur poshtë lajmet se kishte pasur kontakte me shtetin italian, ndaj ai hetohet fillimisht për dëshmi të rreme, ashtu si avokati i Juventusit.

Sipas Prokurorisë, ka dyshime mbi arsyet pse Juventusi hoqi dorë nga uruguaiani. Hipoteza kryesore sipas saj është se Juventusi nuk hoqi dorë për shkak se nuk plotësonte në kohë procedurën e nënshtetësisë, por se kishte marrë vesh se po bëhej një hetim rreth kësaj çështje.