Interi del me fitore nga Frozinone dhe i jep soliditet pozicionimit në vendin e tretë të klasifikimit në kuotën 60 pikë. Luçiano Spaleti e ka komentuar kështu suksesin e skuadrës së tij:

“Thelbësor, por u shpërqendruam për një moment dhe kundërshtari na ndëshkoi. Duhet ta siguronim më parë, por edhe për shkak të fatit të keq shpërdoruam ato dy-tri raste të mira. Preferova fillimin e ndeshjes, kur u treguam kompaktë në mbrojtje. Penalltinë e goditi Perisiç dhe jo Ikardi? Të dy janë të zotë nga pika e bardhë. Nuk shoh asgjë të çuditshme, shpesh në këto raste ndikon edhe morali, qetësia. Kalimi i topit mes njëri-tjetrit tregon harmoni, bashkëpunim dhe profesionalizëm” .

Spaleti nuk e konsideron ende të prerë biletën për Ligën e Kampionëve: “Mos flasim për klasifikim solid. Duhet të qëndrojmë të kujdesshëm, pa vuajtur rënien e ritmit. Të mos e shohim veten të kualifikuar, përndryshe nga pikëpamja psikologjike rrezikojmë një seri rezultatesh negative”.

Trajneri zikaltër i bën komplimente edhe Naingolanit për paraqitjen, ndërsa komentoi edhe situatën e Borha Valeros: “Ndeshje pozitive. Vrapoi shumë, u tregua prezent në çdo aksion dhe përveç golit, ofroi një mbrëmje me nivel të lartë. Borha? Ka një problem muskulor, do i duhet të qëndrojë jashtë fushave për disa kohë”.

Në fund, Spaleti i është përgjigjur edhe pyetjes lidhur me të ardhmen e tij në Milano, gjithmonë e më shpesh në diskutim pas zërave të fundit të kontakteve mes klubit dhe Antonio Kontes: “A ishte një fitore e nevojshme për fatet e Interit? Mbi mua kanë qarkulluar disa aludime përgjatë gjithë javës. Kam thënë vazhdimisht që llogaritë do bëhen në fund”.