Mesfushori shkodran, Uendi Vecaj, është përgatitur gjatë javës me Teutën, por e ardhmja e tij ende nuk është qartësuar. Fakti që lojtari është nën kontratë me Dinamon e Zagrebit, për vazhdimësinë e tij vendos pikërisht klubi kroat.

Mësohet se drejtuesit e Teutës kërkojnë të zgjasin huazimin edhe një sezon, por kjo do të varet nga kroatët. Pritet që brenda kësaj jave të qartësohet gjithçka, teksa Vecaj është një lojtar i preferuar nga Shkëmbi, madje disa herë e ka nisur titullar.

Vecaj numëron në kampionatin e fundit 17 ndeshje, ku 5 herë e ka nisur nga minuta e parë dhe në 12 takime është futur si zëvendësues. 22-vjeçari shënoi një gol me fanellën e Teutës.

Një tjetër lojtar që nuk dihet ende nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e Teutës edhe për sezonin e ardhshëm është 21-vjeçari senegalez, Bubakar Traore. Mesfushori ishte pjesë e rëndësishme e durrsakëve në sezonin e fundit, duke u aktivizuar në 23 ndeshje në kampionat. Ai shënoi edhe tre gola, ndërsa pas fillimit të stërvitjes për këtë sezon nuk është paraqitur në klub.

Çështja e senegalezit është me karakter disiplinor dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme. Traore mësohet se është në planet e stafit, paçka se ende nuk i është bashkuar grupit në stërvitje.