Kategoria Superiore ka mbyllur dje javën e 23 të saj, me disa rezultate interesante dhe plot gola. Tirana përmbysi Kukësin në “Air Albania”, duke kryesuar në kuotën e 44 pikëve.

Partizani gjendet në vendin e tretë me 38 pikë, me të kuqtë që u ndalën në fund nga Bylis në një barazim 2-2 në kryeqytet. Skënderbeu, Vllaznia dhe Laçi morën fitore të rëndësishme, teksa Luftëtari dhe Flamurtari nuk shohin dritë në fund të tunelit.

Pas kësaj jave, me rëndësi janë ndeshjet e radhës që premtojnë spektakël. E premtja e 28 shkurtit në orën 19:00 ka rezervuar një sfidë për kornizë, me Tiranën që do të presë në “Air Albania” Partizanin, në ndeshjen derbi të kryeqytetit.

Java e 24 do të përmbyllet të shtunë, me katër duele në dy orare të ndryshme. Në 14:00 Bylis luan me Flamurtarin në “Adush Muça”, ndërsa Laçi udhëton drejt Gjirokastrës në sfidën me Luftëtarin. Në 17:00 në Durrës, Teuta pret Kukësin në një ndeshje specifike, teksa Vllaznia dhe Skënderbeu përplasen në “Loro Boriçi”.