Dejvi Bregu vijon të bëjë heroin në Durrës, pasi mori sërish për dore Teutën dhe u dha tre pikët në një përballje direkte për titullin ndaj Laçit, duke i ngjitur në krye të renditjes me 46 pikë, aq sa ka edhe Vllaznia.

Durrsakët u shfaqën superiorë gjatë pjesës së parë dhe kërcënuan disa herë kuadratin e Sherrit, por herë për meritë të portierit shkodran e herë për gabim të futbollistëve vendas, topi nuk përfundoi në rrjetë.

Dejvi Bregu dhe Lorenzo Vila ishin më aktivët për “djemtë e detit” dhe patën mundësi mjaft të mira shënimi, por nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë, ndërsa në minutën e 30’ pati edhe pretendime për një 11-metërsh nga ana e vendasve, por nuk kishte të njëjtin mendim kryesori Eldorjan Hamiti.

Edhe pjesa e dytë nisi mjaft mirë për teutën, që kërcënoi fillimisht me Asion Dajën dhe më pas me Vilën, ndërsa në minutën e 57’ pati një tjetër pretendim për penallti, pas një ndërhyrjeje të Markut ndaj Xhekson, por sërish Hamiti vendosi të vijojë lojën.

Mundësinë e parë për shënim Laçi e pati me anë të Mentor Mazrekajt, që bëri gjithçka mirë mbi vijën e zonës, por më pas gjuajtja e tij ishte qendrore dhe u zotërua nga portieri Frashëri.

Sfida u zhbllokua në minutën e 76’, kur një nga më të mirët në fushën e lojës, Dejvi Bregu mori një top nga krahu dhe dribloi të gjithë kundërshtarët që gjeti përpara, për të mposhtur më pas edhe portierin Alen Sherri, të cilit ia dërgoi topin në rrjetë.

Provon të reagojë Laçi, por nuk ka fuqinë e duhur për të çarë mbrojtjen e durrsakëve, që mbrojtën me fanatizëm avantazhin minimal dhe morën tre pikë mjaft të rëndësishme, që i ngjit momentalisht në krye, me pikë të barabarta me Vllazninë.