Një Novak Djokovic në versionin “Wimbledon” mposhti 2-0 me sete (6-4, 6-4) Roger Federerin në finale, duke fituar për herë të parë në karrierë turneun e Cincinatit, i vetmi masters 1000 pikësh që i mungonte palmaresit të tij.

Ishte përplasja e 46-të në histori mes dy titanëve të tenisit botëror (para finales së fundit Nole kryesonte 23-22) dhe e para pas dy viteve e gjysmë (sfida e fundit në gjysmëfinale ne Australia Open në vitin 2016).

Finalja e Cincinatit ishte një monolog i kampionit të Wimbledonit, që shfrytëzoi ditën e keqe të zvicëranit. Federer tregoi dobësi të theksuar në shërbim, ishte i pafuqishëm në kundërpërgjigjje si dhe shfaqi probleme në të gjitha aspektet e lojës.

Për Djokivic trofeu i Cincinatit është i 70-ti i fituar në karrierën e tij, mastersi 1000 pikësh i 31-të (dy më pak se Nadal), por bëhet tenisti i parë në histori që i fiton të gjitha. Nole ka triumfuar 5 herë në Indian Wells (2008, 2011, 2014, 2015, 2016), 6 herë në Miami (2007, 2011, 2012, 2014, 2015, 2016), 2 herë në Monte Carlo (2013, 2015), 4 herë në Romë (2008, 2011, 2014, 2015), 2 herë në Madrid (2011, 2016), 4 herë në Kanada (2007, 2011, 2012, 2016), 1 herë në Cincinnati (2018), 3 herë në Shanghai (2012, 2013, 2015) dhe katër herë në Paris (2009, 2013, 2014, 2015).