Pak ditë pas arrestimit nga policia kolumbiane, për një sherr të supozuar me prindërit e tij dhe qarkullimit në rrjet të një videoje ku shfaqej i gjakosur, ish mesfushori i Interit, Fredy Guarin ka reaguar nëpërmjet një deklarate zyrtare.

Ai ka sqaruar se janë thënë shumë gjëra të pavërteta në lidhje me historinë dhe ka kërkuar më shumë respekt, teksa në fund ka theksuar se kjo është ndeshja më e vështirë e jetës, të cilën ka besim të plotë se do ta fitojë.

Ja deklarata e Guarin:

Unë dua të shpreh mirënjohje të përjetshme për familjen time, miqtë, tifozët, shokët e skuadrës dhe menaxhmentin e klubit, për solidaritetin e tyre dhe mbështetjen e pakushtëzuar në lidhje me situatën time aktuale personale dhe familjare.Lidhur me versionet që qarkullojnë në lidhje me atë që ka ndodhur, unë dua të sqaroj se ajo që është thënë për anëtarët e familjes sime nuk është e vërtetë. Unë kërkoj respekt për ta, veçanërisht për fëmijët e mi, të cilët nuk duhet të vuajnë pasojat e ekspozimit tim publik ose veprimet e mia.Sot përballem me një nga ato ndeshjet e vështira, por jam i sigurt që me ndihmën e Zotit dhe atyre që më besojnë dhe më njohin, do ta fitoj. Vlerësoj jashtëzakonisht të gjitha mesazhet inkurajuese, të cilat më japin shpresën të përmirësohem ditë pas dite.