Rrezikoi që të mos kualifikohej për në sesionin e fundit të provave zyrtare, por Lewis Hamilton ka fituar “pole position” në Çmimin e Madh të Soçit, në Rusi.

Kur duheshin edhe 2 minuta nga fundi i sesionit, Hamilton ishte ende pa kohë të regjistruar pasi në xhiron e tij të shpejtë kishte kaluar limitin e pistës dhe koha iu fshi. Britaniku e nisi xhiron e shpejtë 1 sekond përpara se të përfundonte sesioni dhe arriti që të kualifikohej për më tej.

Më pas, në Q3 anglezi i Mercedesit regjistroi kohën 1’31″304, 6 të dhjetat më i shpejtë sesa Max Verstappen me Red Bull, i cili la pas Mercedesin tjetër të Valtteri Bottas.

Nëse do të fitojë nesër, Hamilton do të barazojë rekordin e fitoreve të Michael Schumacher (91).

Jashtë dhjetëshes së parë Ferrari: i njëmbëdhjeti Leclerc dhe i pesëmbëdhjeti Vettel.