Me kontratën drejt përfundimit me Arsenalin dhe pa asnjë ofertë për të rinovuar me “topçinjtë”, Aaron Ramsey vazhdon të jetë një nga lojtarët më të kërkuar nga ekipet europiane. Pas skuadrave angleze dhe Bayernit të Mynihut, edhe Milani e Juventusi kanë kohë që e ndjekin me interes mesfushorin.

Sipas mediave angleze, është pikërisht “Zonja e Vjetër”, që ka përgatitur një ofertë interesante për të bindur 27-vjeçarin të transferohet në Torino. Po sipas atyre që raportojnë mediat, bardhezinjtë janë gati t’i ofrojnë futbollistit një pagë prej 10 milionë eurosh në sezon për 4 vjet, një marrëveshje që në total kap shumën e 40 milionë eurove.

Në këtë mënyrë bardhezinjtë synojnë të mposhtin konkurrencën dhe të arrijnë te futbollisti më parë se të tjerët.