Është mbyllur java e pestë e kampionatit në Kategorinë Superiore me Partizanin që ka regjistruar sot fitoren e parë, ndërkohë që edhe Skënderbeu ka ruajtur ritmin, duke fituar në shtëpi dhe mbajtur i pashqetësuar kreun e klasifikimit. Të kuqtë kanë triumfuar në transfertë ndaj Teutës me rezultatin 1-2, në një ndeshje të fituar me përmbysje, me një penallti të pritur, një të realizuar në favor dhe me superioritet numerik, ndërkohë që durrësakët e kanë mbyllur ndeshjen me nëntë futbollistë.

Ishte Dosti, ai që në minutën e 18’ kaloi vendasit në avantazh, me durrësakët që në të 24’ kishin të gjitha shanset të dyfishonin epërsinë dhe të mbyllnin takimin para kohe, por penalltia e akorduar në favor të Teutës, e ekzekutuar nga Lena, është pritur nga Hoxha.

Partizani ka barazuar në të 45’ me Trashin, ndërsa në të 76’ është vendosur fati i takimit, me të kuqtë që kanë përmbysur gjithçka. Gafë e mbrojtjes durrësake, me Moçkën që ndal me duar një pasim të dhënë në zonë nga futbollistët e Teutës. Arbitri akordon goditje dënimi brenda zonës së rreptësisë, që në përpjekje për të neutralizuar rrezikun, preket topi me dorë, kësaj here nga Shehaj.

Arbitri akordon 11-metërsh, i shndërruar në gol nga Sukaj në të 78’, si dhe ndëshkon me karton të kuq Shehajn. Në të 85’, arbitri ndëshkon me karton të kuq Dedic duke bërë që Teuta ta mbyllë takimin me 9 futbollistë. Pas kësaj fitore të parë, Partizani mbetet në vend të parafundit, por në kuotën e 5 pikëve është barazuar me Luftëtarin dhe Vllazninë.