Marsin e kaluar Palermo u vesh kuqezi. Një festë për Kombëtaren Shqiptare, për ndeshjen kualifikuese me Italinë, por mbi të gjitha për komunitetin arbëresh në Siçili. Pas atyre momenteve emocionuese të përjetuara në Horën e Arbëreshëve, një delegacion i komunitetit shqiptar që jeton prej më tepër se pesë shekujsh në Itali, u paraqit në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Fillimisht një takim i përzemërt dhe fotografi me trajnerin e ri të Kombëtares, Christian Panuçi. Më pas, pritja zyrtare nga presidenti Armand Duka, të cilit i dorëzuan një pllakatë falënderimi për federatën dhe tifozat “Kuq e Zi” për festën e krijuar më 24 Mars.

“Jemi këtu për të nderuar presidentin e federatës për ardhjen te Hora e Arbëreshëve, një fshat që ka 500 vjet dhe ku ruajmë traditat e gjuhën. Ultras Arbëreshë u bashkuan me tifozat Kuq e Zi, duke kënduar së bashku nëpër rrugët e Palermos dhe në stadium.”

Një album me fotokujtime, batuta me presidentin, por edhe dhurata për delegacionin e arbëreshëve, që premtuan se pas përballjes në Palermo, do të jenë të pranishëm edhe në Shkodër, për sfidën e 9 Tetorit të ardhshëm ndaj Italisë.

“Në Tetor luhet ndeshja Shqipëri-Itali. Tifozët arbëreshë do të organizohen për të ardhur në Shkodër dhe ta shohin këtë ndeshje.”