Dajan Shehi është rikthyer te Teuta, por nuk do të luajë sërish me durrsakët, pasi është vendosur që të huazohet. Është e disata herë që ndodh diçka e tillë, pasi më parë mbrojtësi qendror ka luajtur me Besën e Kavajës, ndërsa vjet në janar kaloi në Kroaci te Hajduk Split.

Kroatët paguan 30 mijë euro dhe për ta blerë duhet të paguanin edhe 120 mijë të tjera, por nuk ndodhi diçka e tillë. Futbollisti 21-vjeçar u rikthye në Shqipëri dhe do të mbetet pjesë e Superiores. Të premten Teuta luajti një ndeshje miqësore me Kastriotin dhe mes drejtuesve ka pasur një bisedë dhe burime bëjnë me dije se është arritur marrëveshja për huazimin e Dejan Shehit për një sezon te Kastrioti.

Kjo lëvizje bëhet që mbrojtësi të ketë më shumë hapësira dhe të rritet si lojtar. Momentalisht durrsakët kanë plane të tjera dhe për lojtarin nga Elbasani nuk ka shumë hapësira. Veç Ante Hrkac dhe Silvester Shkallës, pritet që të mbërrijë edhe Sodiq Atanda nga Partizani, por edhe ndonjë tjetër.

Është parë e rrugës që Shehi te kalojë te Kastrioti. Për të ka pasur oferta edhe nga Maqedonia e Kosova, por dëshira e tij ishte të qëndronte në Superiore.Teuta mund të huazojë edhe ndonjë futbollist tjetër nga të rinjtë. Janë disa elementët me perspektivë te durrsakët, por që për momentin nuk janë gati të luajnë.

Drejtuesit po mendojnë të sistemojnë edhe ndonjë lojtar tjetër në Kategorinë e Parë, por për momentin nuk është se ka diçka konkrete. Fillimisht duhet që trajneri Bledi Shkëmbi të përcaktojë listën për lojtarët që do të udhëtojnë të martën drejt Ohrit, aty ku edhe do të zhvillohet faza përgatitore.