Stefano Pioli u thirr te Milani për të korrigjuar nisjen e keqe të sezonit të Milanit me Marko Xhampaolon. Teksa sot do t’i duhet të tregojë me fakte se është i duhuri, trajneri në ditët e kaluara ka ndryshuar disi rregulloren e brendshme të kuqezinjve. 54- vjeçari ka hequr grumbullimin e detyruar në mbrëmjen që paraprin ndeshjet e skuadrës së tij në shtëpi.

Lojtarët do të jenë të lirë ta kalojnë mbrëmjen me njerëzit e dashur dhe të flenë në shtëpi, për t’u paraqitur më pas në qendrën stërvitore mëngjesin e ditës së ndeshjes. Sinjal besimi ky i teknikut që është pritur po aq mirë nga organika.

Pioli ka rikthyer gjithashtu gjobat për vonesat në takimet e skuadrës, qofshin stërvitje, mbledhje teknike apo grumbullime, teksa përveç tavolinës së përbashkët ka kërkuar nga lojtarët që të mos përdorin celularin gjatë konsumimit të vakteve në grup.