Ecuria negative e skuadrës dhe një shpërfytyrim 6-0 në fushën e Manchester City janë shumë për një skuadër si Chelsea. Për këtë, e ardhmja e trajnerit Sarri është vënë në pikëpyetje të madhe. Metoda e lojës së tij, e njohur si “Sarri ball” nuk po jep efekt dhe skuadra është në pikiatë duke përfunduar në vend të gjashtë të Premier League.

Kompanitë e basteve në Angli kanë filluar të vendosin kuotat për pasuesin e italianit në krye të “Bluve” të Londrës. Në krye të listës qëndron emri i Frank Lampard, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer me Derby Country në Championship, që në vitin e parë të tij si trajner. Lampard është vendosur si alternativa me koeficientin më të ulët për të marrë drejtimin e Chelsea, ndërsa pas tij renditet Zinedine Zidane.

Ndërkohë që surprizë është emri i Jose Mourinho, i cili është renditur i treti, për një rikthim të mundshëm te Chelsea pas shkarkimit që i bëri Manchester United. Emra të tjerë që janë përfshirë në këtë listë është edhe trajneri i Francës, Didier Deschamps dhe ai i Wolves, portugezi Nuno.