DURRES, 03 mars 2013– Siç është njoftuar në shënimin tonë të ditës së premte, Teuta e Durrësit në volejboll për meshkuj ishe me sy e me veshë në Shkodër. Të shtunën në mbrëmje Vllaznia priste në Shkodër Studentin dhe në se do ti rrëmbente atij vetëm 1 set, durrsakët do ti gëzoheshin vendit të parë në mbarim të fazës së Top Volej Liga. Natyrisht që ky pozicion i ofronte Teutës edhe privilegjin, që kundrejt 5 takimeve të plejofit me Studentin për titullin kampion 3 t’i zhvilloj në Ramazan Njala. Sa i takon Vllaznisë ajo në këtë mes nuk përfitonte asgjë, veçse moralit dhe karakterit të grintës dhe luftës sportive pa kompromis dhe që çfaqen rrallë në sportin shqiptar.

Pak besonin se Vllaznia, do të bënte nga ndeshjet më të bukura të saj. Dhe nuk bëhet fjalë për 1 apo 2 sete të marra, por me pak vëmëndje dhe fat mund edhe ti shkaktonte humbje kampiones së vendit. Në një bisedë telefonike me sekretarin e Federatës Shqiptare të Volejbollit Leonard Tase, mësojmë se Vllaznia është mundur shumë ngushtë 3-2, në një takim tejet interesant. Dhe kaq mjaftoi që në mbrëmje në kampin durrsak të shpërthente kënaqësia dhe entuziazmi. Sekretari i klubit shumësportesh Teuta Emilian Jani u shpreh për agjencinë tonë Dyrrah me tone optimiste, se vendosja e Teutës në vendin e parë dhe zhvillimi i 3 ndeshjeve nga 5 të tilla në fushën tonë, është mundësi e favorshme për të thyer hegjomoninë e Studentit dhe ti kthejë Teutës titullin kampion. Por Jani është i ndjeshëm se ruajtja nga euforia dhe vetëkënaqësia, janë dy armë që dëmtojnë rëndë situatën inkurajuese që vihet re në ekipin e Teutës.

Humbja e Vllaznisë 3-2, është sinjal i mirë për të goditur Studentin në fazën e plejofit, paçka se djemtë e Tomorit janë shumë të fortë dhe kanë sy synim mbajtjen e trofeut. Deri këtu, Teutës i duhet të reagojë vetëm në një pikë: Faleminderit Vllazni!

 

/Bujar Qesja, Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/