Në javën e parafundit të kampionatit shqiptar kishte jo pak surpriza dhe situata tashmë ka ndryshuar shumë. Vllaznia ka përmbysur gjithçka ndaj një Kukësi të pamotivuar që tashmë e ka siguruar vendin e dytë.

Shkodranët luanin sot shansin e fundit për të qëndruar në Kategorinë Superiore, dhe me këtë fitore si dhe falë humbjes së Kamzës 1-2 ndaj Laçit, tani ka shanse reale nëse fiton ndeshjen e fundit ndaj një tjetër skuadre të pamotivuar siç është Skënderbeu kampion.

Ndërkohë Teuta ka shpërthyer në gola për ndeshjen e fundit brenda fushe duke shpartalluar Lushnjën me rezultatin 6-2 në "Niko Dovana" e tashme Teuta shpëtoi edhe matematikisht.

Skuadra e Gentian Begejës shënoi që në minutën e parë me anë të Latif, megjithatë Sefa vuri ekuilibrin pak minuta më vonë. Ishte Beqaj ai që shënoi golin e avantazhit.

Më pas Latif shënoi dhe të dytin personal. Në fraksionin e dytë ishte Peqini që erdhi nga stoli dhe shënoi dy herë. Ademi ngushtoi përkohësisht, por Hila nga pika e bardhë vulosi gjithçka.

Një rezultat tenistik që në fund i jep qetësinë e shumëkërkuar durrsakëve, të cilët sigurojnë mbijetesën. Lushnja duket se është dorëzuar dhe tani duhet që të luajë për të respektuar dhe ndeshjen e fundit në Superiore.