Pas mbërritjes nga kampionati botëror i Londrës, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, ka raportuar përpara anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv për çdo takim dhe pjesëmarrje të tij në mbledhjet e zhvilluara me homologët gjatë qëndrimit në Londër, më kryesorja Kongresi Botëror.Në përmbyllje të bilancit të Botërorit, në rendin e ditës ka qenë edhe çështja e shumëpërfolur e tërheqjes së atletes Luiza Gega nga kampionati ku ishte programuar të merrte pjesë në garën e 3000 m/ p. Por vetëm pak nga starti, Gega informoi me një mesazh kreun e Federatës se, në pamundësi fizike për shkak të një dëmtimi, ajo nuk do të udhëtojë drejt Londrës. Presidenti Ruli tha se, pasi informoi në detaje anëtarët për kronologjinë e ngjarjes me atleten Luiza Gega, ata në unison, sipas kreut të FSHA-së (me përjashtim të njërit që mungonte), kanë shprehur indinjatën për mënyrën se si ndodhi.“Përpos raportit për kampionatin botëror, kisha detyrim të referoja edhe për rastin e mungesës së Luiza Gegës në garë, ku të gjithë kanë qenë në një linjë me mua për shqetësimin e ngritur me herët.

Pas diskutimeve, Komiteti Ekzekutiv dha direktiva që kjo çështje t’i përcillet Komisionit të Disiplinës, organ i pavarur ky, i cili, pasi të dëgjojë pretendimet e atletes ka autoritetin për të marrë një vendim”, deklaroi presidenti Gjergj Ruli për gazetën, ndërsa konfirmoi se në mbledhje nuk u thirrën atletja Luiza Gega dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi.Dy norma kishte kapur atletja e kombëtares shqiptare, Luiza Gega, për kampionatin botëror për të rritur që u mbajt në Londër, respektivisht në garën e 1500 m dhe atë të 3000 m/p. Më herët ishte kampioni i Europës në kërcimin së gjati Izmir Smajlaj, i cili do të tërhiqej nga kampionati botëror i Londrës. Në këtë mënyrë, pas Smajlajt, edhe Gega nuk mori pjesë në Botërorin e Atletikës duke bërë që Shqipëria të mos përfaqësohej me asnjë sportist në këtë kompeticion.