I punësuar prej disa muajsh në kuzhinën e IEVP Durrës, i burgosuri Kastriot Ramazani është i kënaqur që më në fund me punën që kryen do të mund të sigurojë para për familjen e tij, bashkëshorten e papunë dhe djalin 3-vje­çar.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ishte sot në burgun e Durrësit për të prezantuar programin e punësimit të të dënuarve në sistemin penitenciar. Sipas Manjës, nga ky program do të përfitojnë 380 të dënuar brenda këtij viti, ndërkohë që në Durrës startoi ky proces me 15 të dënuarit e parë.

Ministri Manja sqaroi dhe mënyrën sesi do të paguhen të burgosurit e punësuar në administratën e IEVP-ve, por edhe ata në sektorin privat. 

“Ata të burgosur që do të punësohen në administratën e burgjeve do të përfitojnë 25% të pagës për atë funksion që do të ushtrojnë, ndërsa të punësuarit në sektorin privat do të marrin pagën minimale”,– tha Manja.

I mësuar tashmë me punën dhe kolegët në kuzhinën e burgut, i dënuari Ramazani ndihet mirë me kushtet që i ofrohen dhe shpreson që të gjithë bashkëvuajtësit që do të përfitojnë nga ky program të mund të marrin mbrapsht mundin e punës së tyre.

Nga programi i punësimit të të dënuarve do të përfitojnë të burgosurit me vendim të formës së prerë. Me ligjin e mëparshëm, të dënuarve të punësuar u uleshin vitet e dënimit, ndërkohë që ligji i ri u mundëson që ata të përfitojnë pagë për punën që kryejnë.

M.B.