Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë krijuar jo pak probleme tek shumë prej nesh. Zhiva e termometrit ka regjistruar deri në 38 gradë, temperaturë kjo mjaft e lartë dhe shumë e padurueshme për shumë njerëz. Rritja e temperaturave shoqërohet gjithnjë me shqetësime shëndetësore, sidomos tek të moshuarit dhe të vegjlit, dy grupmoshat me sistemin imunitar më të dobët. Por kjo nuk do të thotë se tek të rinjtë dhe të rriturit këto temperatura nuk ndikojnë.
Dehidratimi, këputja, mungesa e oreksit janë disa nga simptomat që shfaqen atëherë kur zhiva e termometrit arrin nivele të larta. Krahas këshillave të mjekëve që rekomandojnë mos ekspozimin në diell për një kohë të gjatë, shmangien e daljeve në orët e pikut të vapës, konsumimin e sa më shumë lëngjeve etj. një kujdes i madh i duhet rezervuar edhe ushqimit që konsumojmë. Shpeshherë shumë prej nesh mund të përballen me mungesë oreksi apo vështirësi në tretje dhe kjo e fundit shpeshherë varet nga vaktet që konsumojmë. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se në krahasim me dimrin, kur temperaturat janë të ulta e për pasojë duhet të konsumojmë më tepër ushqim që trupi të ketë rezerva për të luftuar të ftohtin, në verë rekomandohet një ushqyerje e lehtë, me pak kalori, përdorimi i perimeve e frutave të stinës si dhe shumë lëngjeve.
Ushqimet për t’u konsumuar
Ndërprerja e oreksit në verë lidhet ngushtë me temperaturat e larta, të cilat shkaktojnë gjendjen e lodhjes dhe mungesën e dëshirës për të ngrënë, sepse organizmi vendoset në një situatë tjetër dhe mundohet që me djersitje dhe frymëmarrje të rregullojë temperaturën e trupit thonë mjekët. Duke qenë se është në bashkëveprim të ngushtë me ambientin e jashtëm trupi i njeriut reagon gjithnjë për t’iu përshtatur sa më mirë kushteve atmosferike. Për këtë arsye në verë ai prodhon disa hormone që japin ndjesinë e mungesës së oreksit. Një fakt interesant që na ndodh në verë është se nuk është çudi që brenda ditës ne mund të humbim disa kilogramë. Kjo nuk vjen aspak si pasojë e dobësimit, por për shkak të humbjes së sasisë së ujit që ndodhet zakonisht në trupin tonë. Prandaj mjekët rekomandojnë gjithnjë konsumimin e sa më shumë lëngjeve dhe frutave që përmbajnë sasi të mëdha uji për të zëvendësuar lëngjet që largohen nga trupi për shkak të djersitjes.
Për këtë arsye, është e rëndësishme që të konsumojmë frutat e stinës si: pjepri, shalqiu, pjeshka, qershia apo kajsitë, që kanë një përmbajtje të madhe uji. Kundër humbjes së kripërave dhe lëngjeve të trupit duhen pirë të paktën dy litra ujë në ditë; të konsumohen shumë perime (kastraveca, selino, rrepka, domate) që përmbajnë shumë ujë. Krahas përdorimit të frutave duhet t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë ushqimeve që konsumojmë gjatë vakteve.
Ajo që rekomandojnë dietologët janë vakte të lehta dhe të tretshme për organizmin. Me të nxehtin energjitë tona pakësohen me 200-300 kalori në ditë, pasi trupi në këtë periudhë djeg më pak, kështu që duhet treguar kujdes me racionet dhe yndyrnat. Mishi nuk rekomandohet të konsumohet më shumë se një herë në javë, po ndërkohë mund të konsumoni peshkun, i cili ka pak kalori dhe është i pasur me acide yndyrore që luftojnë kolesterolin e keq. Në të njëjtën kohë mund të përdorni fileto pule, të cilat asimilohen lehtë nnga stomaku. Përdorimi i sallatave të ndryshme, qoftë me perime të ziera apo sallatë jeshile e shoqëruar me vaj ulliri dhe limon është shumë i rekomandueshëm. Në drekë konsumoni me tepër tava me perime të stinës, të pasura me vitamina. Mos harroni ndërkohë të evitoni të skuqurat dhe yndyrnat e tepërta. Kosi gjithashtu duhet të përdoret në këtë periudhë. Me rritjen e temperaturave shtohet edhe rreziku i infektimit të ushqimeve nga agjentët patogjenë. Për të shmangur rreziqet e mundshme duhet të rrisni konsumin e kosit që mbron dhe forcon mbrojtjet natyrore të organizmit. Gjithashtu ndihmon edhe në përthithjen më mirë të vitaminave dhe mineraleve. Meqë vera është stina që ka larmi frutash përgatiteni vetë kosin me frutat që preferoni e kështu evitoni ato që tregtohen të gatshëm në markete.
Ushqimet që nuk duhen konsumuar
Shmangni zierjen e zarzavateve, sepse kështu i “zhvishni” nga vitaminat dhe kripërat minerale. Gjithashtu nuk duhen konsumuar pijet e gazuara dhe ato me sheqer që shtojnë kaloritë dhe janë të pasura me substanca të dëmshme për trupin. Mos e teproni me kafenë dhe pijet me kafeinë që rrisin vazokonstruksionin dhe diurezën, duke shkaktuar dehidratim. Bëni kujdes edhe me ushqimet që janë shumë të nxehta ose shumë të ftohta, sepse ndikojnë negativisht në mekanizmat e rregullimit të temperaturave. Në këto ditë shumë të nxehta, konsumimi i sa më shumë lëngjeve ndihmon për të mbajtur organizminn në parametra normalë, sepse nga djersitja trupi dehidratohet në masë të madhe. Krahas djersitjes, faktor tjetër që mund të ndikojë në dehidratimin e organizmit është konsumimi i pijeve alkoolike. Shmangia e tyre duhet të bëhet nga të gjitha grupmoshat. “Pasi pi alkool ndien etje sepse alkooli është e vetmja substancë që përthithet 100% nga organizmi dhe duke qenë se përthithet kështu, edhe trupi dehidratohet më kollaj. Alkoolet e rënda janë më problematikët, si uiski, xhin apo vodka e raki. Ndërsa pije si vera apo ndonjë kokteil tolerohen lehtësisht nga organizmi”,- thonë mjekët.
Si ta luftosh celulitin në plazh
Celuliti është një nga problemet kryesore që shqetëson çdo femër. Pavarësisht ushtrimeve të shumta në palestër, një diete të kujdesshme apo masazheve terapeutikë ndonjëherë celuliti nuk zhduket plotësisht. Por nëse jeni duke kaluar këto ditë të nxehta në plazh shfrytëzojini pushimet për të luftuar celulitin. Deti ka një efekt mjaft pozitiv ndaj këtij të fundit. Në vend që të qëndroni për orë të tëra shtrirë për të thithur sa më shumë rreze, provoni të notoni. Në fakt, banjat në det janë shumë të efektshme duke u kombinuar me lëvizjet, efektin shfryrës dhe riaktivizues të kripës së detit mbi inde dhe veprimin e masazhit muskulor të dallgëve, elementë të cilët që ditët e para të plazhit sigurojnë këmbë më të tonifikuara. Një efekt antiproduktiv kryejnë qëndrimet e gjata në diell. Nuk këshillohet që të rrini shumë orë shtrirë pa lëvizur duke marrë rreze dielli, sidomos kur keni kapilarë të dobët dhe tendencë për variçe. Gjithashtu, duhet shmangur tejnxehja e këmbëve, që shkakton vazodilatacion, ndalim të qarkullimit dhe amulli të lëngjeve, duke favorizuar kështu celulitin. Më mirë t’i merrni rrezet e diellit duke ecur në breg të detit, ku më kryesorja është mbajtja e këmbëve pjesërisht të zhytura në ujë. Përveç notit klasik, për të përmirësuar pamjen e celulitit me tendencë edematoze, forcimin e vitheve dhe të kofshëve mund të futeni në det me një tavolinë sërfi, që duke e mbështetur në bust mund të lëvizni këmbët duke i mbajtur të shtrira ato. Edhe vajzat që pëlqejnë të rrinë për shumë kohë shtrirë në dyshek duke soditur detin, le të përpiqen që t’i mbajnë këmbët e zhytura në ujë, duke i lëvizur sa më shpesh.