Premiera e parë e këtij sezoni teatror në Durrës do të jetë ajo e një komedi mjaft e suksesshme franceze. Regjizorja Driada Dervishi ka përzgjedhur komedinë “Boeing, Boeing – Stjuardesat” për të hapur siparin e shfaqjeve të reja që do të vihen në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” përgjatë këtij viti. Komedia e francezit Marc Camoletti fshikullon lidhjet poligame në Francë, por suksesi që kjo vepër regjistroi në të gjitha vendet ku është shfaqur tregon se fenomeni në fjalë është mjaft i përhapur. Përmes situatave të shumta gazmore dhe rrëmujës matematikisht të mirëllogaritur e planifikuar komedia pritet të argëtojë publikun në sallë gjatë muajit mars dhe të rigjallërojë jetën artistike të qytetit.

Jeta e Bernardit, personazhit kryesor të interpretuar nga aktori Xhejni Fama vazhdon e qetë dhe e lumtur përsa kohë avioni Boeing nuk ka nisur ende fluturimet. Arkitekti ka krijuar një lidhje poligame me tri stjuardesa, por asnjëra prej vajzave nuk e di ekzistencën e tjetrës. Për shkak të udhëtimeve të shpeshta të tyre Bernardi ka mundur ta racionalizojë mjaft mirë jetën e tij duke e koordinuar çdo lëvizje me udhëtimet e të fejuarave të tij amerikane, franceze e gjermane. Por në kohën kur avioni Boeing nis udhëtimet e tij të shpejta jeta e Bernardit tronditet së tepërmi. Udhëtimet, që tani realizohen në një periudhë më të shkurtër kohore përmbysin të gjitha kalkulimet e tij dhe arkitekti ndodhet në një rrëmujë të vërtetë, që rrezikon t’i japë fund njëherë e mirë kënaqësisë së provuar deri në atë kohë. Në lojë futen dhe dy personazhe të tjera, Roberti, miku i Bernardit dhe shërbyesja e tij besnike, të cilët e ndihmojnë në këtë situatë komplekse, që duket se do të ndryshojë përgjithmonë jetën e Bernardit bukurosh. Por a do t’ia dalin dot mbanë t’i mbajnë të fshehta lidhjet e tij të njëkohshme? Këtë publiku do ta zbulojë vetëm duke ndjekur shfaqjen që pritet të vihet në skenë në fund të muajit mars.

Marc Camelotti e përfundoi veprën në vitin 1962 dhe që nga viti 1991 “Stjuardesat” është futur në librin e rekordeve “Guinness” si komedia franceze më e shfaqur në botë. Në Londër kjo komedi u shfaq për 7 vjet rresht në teatrin “Apollo”, duke numëruar më shumë se 2000 performanca. Komedia “Stjuardesat” është pritur mjaft mirë edhe në Shqipëri kur u vu në skenë në Teatrin Kombëtar me regji të Gëzim Kames

Komedia “Boeing, Boeing” është një farsë klasike që vë në lojë lidhjet poligame, por gjithsesi ajo nuk ndëshkon asnjë nga personazhet e saj. Dënimi i vetëm është një shuplakë duarve e gjithçka mbyllet aty. Autori i saj Marc Camelotti e përfundoi veprën në vitin 1960 dhe që nga viti 1991 “Stjuardesat” është futur në librin e rekordeve “Guinness” si komedia franceze më e shfaqur në botë. Në Londër kjo komedi u shfaq për 7 vjet rresht në teatrin “Apollo”, duke numëruar më shumë se 2000 performanca. Pjesët e Camoletti-t janë shfaqur në gjuhë të ndryshme në rreth 55 shtete. Vetëm në Paris, 18 nga pjesët e tij numërojnë rreth 20.000 shfaqje në skenë. Ndonëse një farsë franceze, me temën që trajton del jashtë kufijve të vendit ku është shkruar. Rreth 10 vjet me parë kjo komedi, e përkthyer nga Nasi Lera në shqip, është shfaqur me mjaft sukses edhe në Teatrin Kombëtar me regji të Gëzim Kames. Regjisorja Dervishi premton ta sjellë shfaqjen nën një koncept të ndryshëm regjizorial.

 

Komedia “Stjuardesat”

Në rolet kryesore do të interpretojnë:

Bernardi:                     Xhejni Fama

Xheijn:                        Eralda Çaushi

Zhaklina:                     Adriana Tolka

Judita:                         Andia Xhunga

Robert:                        Besmir Bitraku

Berta:                          Sanie Hoti

Stafi artistik

Përpunimi muzikor:     Julian Shyti

Skenografia:                Lysien Koci

Përkthyes:                   Nasi Lera

Regjisore:                    Driada Dervishi