Së shpejti, universitetet do të nisin procedurat për pranimet në ciklin e tretë të studimeve ose, siç njihen ndryshe, studimet doktorale.

Vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave ka miratuar kuotat e propozuara nga institucionet e arsimit, si dhe tarifën përkatëse që ka pësuar vetëm një rritje të lehtë. Doktoraturat, këtë vit janë shoqëruar edhe me risi, për sa u përket kritereve që duhet të ndjekin mentorët e deri tek kandidatët për doktorantë, të cilët duhet të kenë përfunduar një Master Shkencash. “Për studentët, brenda territorit të vendit janë afërsisht 1141 doktorata në të gjitha programet e studimit të ofruara.

Janë parashikuar kuota dhe për studentët shqiptarë të trojeve dhe kuota për studimet e Doktoratës për shtetasit e huaj. Duke respektuar vetëm katër për qind rritjen e inflacionit është absolutisht një tarifë sociale në ndihëm të të gjithë aplikantëve. 216.320 lekë për çdo program studimi”,- tha Edlira Late, drejtoreshë e Arsimit të Lartë në MASH. Zyrtarët e arsimit të lartë në MASH thonë se janë ngritur grupet monitoruese edhe për universitetet private që kanë kuota për doktoraturat.

Ata shprehen se do të ndiqen të njëjtat rregulla dhe çdo kriter pranimi do të jetë transparent. “Platforma e monitorimit për shkollat doktorale është e njëjtë me të njëjtat standarde me grupet dhe ekspertët më të mirë që kanë lidhje me fushat respektive dhe universitetet private që ofrojnë studimet e doktoratës janë pjesë e këtij monitorimi të përgjithshëm. Raporti përkatës do të shkruhet dhe për ta dhe rekomandimet, plotësimet që duhet të kryejnë në përputhje me standardet dhe ndryshimet që kanë pësuar udhëzimi i doktoratave do të jetë pjesë e zbatimit dhe për ta”,- tha Late.

Cikli i doktoraturave është i treti në sistemin arsimor dhe ka një kohëzgjatje prej 3 vitesh studimi. Në dallim nga dy ciklet e tjera, ai konsiderohet si pjesë plotësuese e diplomimit.