TIRANE– Çdo vit rreth 5 mijë maturantë aplikojnë për të studiuar jashtë Shqipërisë. Vendet më të preferuara për të studiuar janë Italia, Turqia, Gjermania, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Secili prej këtyre shteteve ka procedurat e veta dhe kriteret e vendosura më parë për të pranuar studentë të huaj. Për këtë, çdo shtet ka vendosur programe bursash për studentë të huaj që duan të studiojnë në shtetet respektive. Në krye të listës së preferencës së studentëve shqiptarë qëndron shteti fqinj, me rreth 2 mijë studentë të cilët kanë studiuar dhe punojnë akoma në Itali. Gazeta “Shekulli” ka kontaktuar me përfaqësues të Institutit Italian të Kulturës për të mësuar më tepër për mësimin e gjuhës, ndjekjen e kurseve dhe procedurën që duhet të ndjekë çdo maturant që dëshiron të përfitojë një bursë studimi në Itali. Muaji janar përkon me një periudhë gjatë së cilës çdo maturant duhet të bëjë mirë llogaritë dhe të shqyrtojë mundësinë e fitimit të bursës nga Ambasada Italiane. 

Kushti i gjuhës 

Të gjithë personat që duan të studiojnë në shtetin italian, duhet të kenë të certifikuar gjuhën italiane. Ky është një ndër kushtet kryesore për të ndjekur studimet e larta në Itali. Në vendin tonë institucioni i vetëm që lëshon çertifikatat e njohjes së gjuhës është Instituti Italian i Kulturës. Nëndrejtoresha e këtij Instituti, Madalena Pessina informon të gjithë maturantët shqiptarë se 19 janari është afati i fundit për të aplikuar për dhënien e provimit në datën 9 mars të këtij viti. Kjo është periudha në të cilën maturantët mund t’i kushtojnë më shumë kohë studimit të gjuhës, pa anashkaluar provimet e maturës shtetërore. “Certifikatat e nivelit C1 dhe C2 lejojnë regjistrimin në kushte të barabarta me studentët italianë, jashtë kontingjentit të rezervuar për studentët e huaj. Certifikatat CELI, CILS dhe ROMA 3 që njihen në të gjithë Evropën, vërtetojnë kompetencat dhe aftësitë e përdorimit të gjuhës dhe janë të përdorshme si në fushën e punësimit ashtu edhe të studimit të gjuhës”, sqaron Pessina. Certifikimi i gjuhës është vetëm fillimi i përpjekjeve për cilindo maturant që dëshiron të ndjekë një program studimi në Itali. Maturantët duhet të mendojnë që tani për degën apo programin e studimit që duan të zgjedhin. Pas këtij hapi janë edhe një sërë kriteresh dhe procedurash që një maturant duhet t’i ketë parasysh në fitimin e një burse studimi nga Ambasada e shtetit italian. 

Si ta fitosh një bursë 

Shumë studentë janë të interesuar. Pak janë ata që kanë mundësi të përfitojnë nga bursat e studimit për të rinjtë shqiptarë që jepen çdo vit nga Ambasada Italiane. Kusht për maturantin është që ai të jetë i përgatitur mirë që të përfitojë një bursë. “Hapi i parë për të studiuar në Itali është të vendosni se ku do të studioni dhe cilat programe studimi do t’iu ndihmojnë për të përmbushur qëllimin e karrierës suaj”, sqaron Pessina, nëndrejtoreshë e Institutit Italian të Kulturës. Ministria italiane iu ofron prej vitesh studentëve shqiptarë bursa studimi për gjithë vitin akademik. Kostoja mujore e një studenti në vendin fqinj kap vlerën e 620 eurove në muaj. Studentët që duan të regjistrohen pranë universiteteve italiane, duke përfituar nga programi i bursave duhet të dorëzojnë dokumentet e nevojshme pranë Ambasadës Italiane. Në dokumente duhet të paraqitet dëftesa e pjekurisë dhe të gjitha vërtetimet e nevojshme për të përfituar një vizë për studim në një nga universitetet italiane. Maturantët kandidatë për të studiuar jashtë shtetit duhet të paraqiten në ambasadë me formularin e regjistrimit të plotësuar dhe dy kopje të tij. Në këtë pikë tërhiqet vëmendja pasi në formular duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare që nuk mund të ndryshohet më pas. Gjithashtu kërkohen edhe formulari autentik i fotografisë, i cili duhet të jetë i plotësuar, por i pafirmosur, dhe 2 fotokopje si dhe dëftesa e pjekurisë dhe certifikata e maturës shtetërore në origjinal dhe 2 fotokopje të saj. Këto dokumente të shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit. Pasi të bëhet vlerësimi i dokumentacionit, Ambasada Italiane iu lëshon studentëve të interesuar pasaportën dhe dokumentet e legalizuara. Maturantët e përzgjedhur nga Ambasada Italiane për të nisur regjistrimin në Universitete dhe që kanë kaluar me sukses dy provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, nisen drejt shtetit fqinj pasi të jenë pajisur me viza nga ambasada. Viza e studimit është falas dhe jepet ekskluzivisht për studentët e huaj në territorin italian.

                            Marrë nga Shekulli Online