ITALI– Në këto 20 vite emigracion shqiptarët kanë ditur të tregojnë se nuk kanë emigruar thjesht për të siguruar disa të ardhura më shumë për familjen e tyre, por edhe për të afirmuar aftësitë e tyre në vendet që kanë zgjedhur për të jetuar e punuar. Lista e shqiptarëve të talentuar, që kanë arritur të afirmohen në Itali është e gjatë dhe një nga ata është edhe Suela Plaka.

“Aktive në jetën shoqërore, 26 vjeçarja shqiptare, nënë e dy fëmijëve, është një nga pesë gratë që përbëjnë Komisionin për Mundësi të barabarta, i ngritur nga Mafalda Gritti, përgjegjëse e Shërbimeve sociale në komunën Castel Mella”, shkruan “Shqiptari i Italisë” në një shkrim kushtuar kësaj të reje që me aktivitetin e saj ka arritur të afirmohet në komunitetin ku ajo banon prej 8 vitesh.

 “Në komunën ku jetoj ndihem shumë mirë, mund të them që jam integruar. E ndiej veten pjesë të komunitetit, marr pjesë në aktivitetet e organizuara nga shoqatat e ndryshme, me dy prej të cilave, MigrAzione dhe Genitori di Castel Mella, bashkëpunoj prej kohësh”,- thotë Suela.

Castel Mella është një komunë e vogël e Brescias me 11 mijë banorë, nga të cilët, rreth njëmijë janë emigrantë. Suela Plaka është njëra prej tyre dhe banon aty prej 8 vitesh.

Ajo është thirrur të bëjë pjesë në Komisionin për Mundësitë e Barabarta, i ngritur nga përgjegjësja e komunës për Shërbimet Sociale, Mafalda Gritti. Madje në këtë komision Suela Plaka është zgjedhur njëzëri nënkryetare sepse siç shpjegon Gritti “gratë jokomunitare janë të shumta në territor e kanë të njëjtat probleme të grave italiane, ndoshta të amplifikuara. Por nga ana tjetër zgjedhja e Suelës si nënkryetare kërkon të jetë një gjest i rëndësishëm në aspektin e tolerancës dhe të integrimit”.

Komisioni do të ketë për qëllim ngritjen e shërbimeve të posaçme për gratë në mënyrë që këto të mund të kombinojnë të qënit nëna me dëshirën për të punuar, të jenë pjesë aktive e shoqërisë në të gjitha sferat.

Madje Suela shpjegon edhe mënyrën se si do të realizohen këto objektiva, pasi gjithçka është arritur falë edhe ndihmës së komunës dhe impenjimit të stafit të këtij komisioni në këtë sipërmarrje.

Ndërsa 8 vite më parë erdhi në Itali për të studiuar dhe tani pas diplomimit e sheh veten të integruar në jetën sociale të komunës ku ajo ka vendosur të jetojë, Suela pranon se integrimi i të huajve është ende i vështirë në Itali, e këto vështirësi pikë së pari derivojnë nga sistemi ligjor i vendit fqinj si dhe nga paragjykimet e komunitetit atje.

“Shpesh komunitetet e huaja mbyllen në vetvete e nuk ndihen pjesë e realitetit shoqëror ku jetojnë. Por kjo nuk varet vetëm prej tyre, vështirësitë krijohen kryesisht nga ligjet, paragjykimet. Nëse ligjet i ndryshon parlamenti, për paragjykimet të gjithë, të huaj e italianë, duhet të bëjmë punën tonë”,- thotë Suela.