Siria po hyn në një fazë përshkallëzimi pas një sulmi ajror izraelit pranë pallatit presidencial në Damask, me qeverinë e re të vendit që e cilëson ngjarjen si një shkelje të rëndë të sovranitetit, ndërsa Gjermania shpreh shqetësim të thellë për zhvillimet.

Presidenca siriane, përmes një deklarate zyrtare të dhënë të premten në mëngjes, dënoi sulmin ajror të ndodhur gjatë natës nga forcat izraelite në zonën e pallatit presidencial në kryeqytetin Damask, duke e cilësuar si “një përshkallëzim të rrezikshëm”. Në deklaratë thuhej se sulmi përbën “një përshkallëzim serioz ndaj institucioneve shtetërore dhe sovranitetit të vendit”.

Sulmi ndodhi disa orë përpara se Gjermania të reagonte publikisht për përleshjet e vazhdueshme ndërmjet forcave druze dhe grupeve të tjera në Siri. Ministria e Jashtme gjermane, përmes një deklarate, shprehu “shqetësim të thellë” për raportimet mbi përleshje me karakter sektar dhe i bëri thirrje autoriteteve të reja siriane të garantojnë mbrojtjen e civilëve.

Ndërkohë, Berlini komentoi edhe për sulmet izraelite, duke theksuar se “Siria nuk duhet të shndërrohet në një fushë zgjidhjeje të tensioneve rajonale”, duke dhënë një mesazh të qartë në favor të de-përshkallëzimit.

Damasku, nga ana e tij, e interpreton sulmin izraelit si një tjetër shenjë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në punët e brendshme të vendit, ndërsa analistët vlerësojnë se ky zhvillim mund të përkeqësojë më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara në Lindjen e Mesme.