Pesë persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me thikë në stacionin Penn të New York-ut, një nga nyjet më të mëdha të transportit në Shtetet e Bashkuara.

Sipas autoriteteve, një prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë, dy të tjerë kanë pësuar lëndime të moderuara, ndërsa dy persona janë plagosur lehtë. Të gjithë të lënduarit janë transportuar në spitalin Bellevue për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 sipas kohës lokale. Pas sulmit, policia nisi menjëherë një operacion kërkimi dhe arriti të arrestojë autorin e dyshuar.

Sipas mediave amerikane, hetimet paraprake tregojnë se bëhet fjalë për një akt të rastësishëm dhune. Burime të zbatimit të ligjit kanë bërë të ditur se i dyshuari kishte probleme emocionale dhe u arrestua nga policia e Amtrak.

Sulmi ndodh në një moment kur Nju Jorku ka shtuar masat e sigurisë për shkak të vizitës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili pritet të ndjekë ndeshjen e ekipit New York Knicks në finalet e NBA-së.

Stacioni Penn ndodhet poshtë arenës Madison Square Garden, ku do të zhvillohet ndeshja e shumëpritur. Për këtë arsye, autoritetet kanë vendosur masa shtesë sigurie, përfshirë ndalimin e çantave në arenë dhe anulimin e zonës së organizuar për ndjekjen e ndeshjes jashtë saj.

Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e sulmit.