Kryeqyteti i Ukrainës u vu nën një sulm të madh rus me dronë dhe raketa të shtunën në mëngjes, me shpërthime dhe të shtëna mitralozi që u dëgjuan në të gjithë qytetin, duke detyruar shumë banorë të Kievit të strehohen në stacionet nëntokësore të metrosë.

Sulmi rus gjatë natës duke gdhirë kjo e shtunë erdhi disa orë pasi Rusia dhe Ukraina filluan një shkëmbim të madh të burgosurish, duke shkëmbyer qindra ushtarë dhe civilë në fazën e parë të një shkëmbimi për të cilin u ra dakord nga të dyja palët në një takim në Stamboll javën e kaluar.

Marrëveshja ishte një moment bashkëpunimi në përpjekjet për të arritur një armëpushim në luftën 3-vjeçare, të cilat përndryshe do të kishin dështuar.

Mbetjet e raketave dhe dronëve të kapur ranë në të paktën katër lagje qyteti të kryeqytetit ukrainas të shtunën herët, shkroi në Telegram kreu në detyrë i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko.

Sipas Tkachenko, gjashtë persona kërkuan kujdes mjekësor pas sulmit dhe dy zjarre u shkaktuan në lagjen Solomianskyi të Kievit.

Yurii Bondarchuk, një banor vendas, tha se sirena e sulmit ajror “filloi si zakonisht, pastaj dronët filluan të fluturonin përreth siç bëjnë vazhdimisht”.

Pak çaste më vonë, ai dëgjoi një bum dhe pa xhama të thyer që fluturonin në ajër, raporton noa.al duke cituar AP.

Alarmi për sulm ajror në Kiev zgjati më shumë se shtatë orë gjatë natës, duke paralajmëruar për raketa dhe dronë që po hynin në vend.

Përpara sulmit, kryebashkiaku i qytetit Vitalii Klitschko i paralajmëroi banorët e Kievit për më shumë se 20 dronë sulmues rusë që po shkonin drejt Kievit. Ndërsa sulmi vazhdonte, ai tha se mbeturinat e dronit ranë mbi një qendër tregtare dhe një ndërtesë banimi në lagjen Obolon të Kievit. Shërbimet e emergjencës u nisën drejt vendit të ngjarjes, tha Klitschko.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte rrëzuar 788 dronë ukrainas larg fushëbetejës midis 20 dhe 23 majit.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia qëlloi 175 dronë Shahed dhe dronë mashtrues, si dhe një raketë balistike që nga e enjtja vonë.