Izraeli ka kryer ditën e sotme sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe në pjesë të tjera në të gjithë Iranin. Si pasojë e përshkallëzimit të situatës shumë fluturime nga Izraeli dhe për në Izrael janë anuluar. Këtu përfshihen edhe fluturimet nga Tel Avivi drejt Tiranës dhe anasjelltas, sipas faqes zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Izraeli tha se ka kryer sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i vrarë një gjeneral të lartë dhe dy zyrtarë të tjerë ushtarakë, dhe duke e rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme. Irani u përgjigj duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.
Ndër objektet e goditura në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.