Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia do të marrë masa hakmarrëse, pasi ka akuzuar Ukrainën për një sulm vdekjeprurës në një konvikt studentësh në një zonë të pushtuar në lindje të Ukrainës.
Sipas tij, në sulmin e natës në qytetin Starobilsk, në rajonin e Luhanskut, kanë humbur jetën gjashtë persona, ndërsa 39 të tjerë janë plagosur. Po ashtu, 15 persona rezultojnë të zhdukur.
Nga ana tjetër, ushtria ukrainase ka deklaruar se ka goditur selinë e njësisë elitare ruse të dronëve “Rubicon” në Starobilsk, pa saktësuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin objekt të përmendur nga pala ruse.
Putin ka mohuar që në zonën përreth të ketë pasur objektiva ushtarakë, duke thënë se “nuk ka pasur asnjë strukturë ushtarake, shërbimesh inteligjente apo objekte të lidhura me to pranë vendit të goditjes”. Ai shtoi se nuk ka arsye për të pretenduar se goditja ka ardhur si pasojë e sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore apo luftës elektronike.
Presidenti rus ka urdhëruar ushtrinë të përgatisë propozime për mënyrën e kundërpërgjigjes.
Sipas tij, sulmi është kryer në tre valë me 16 dronë në total.
Mediat shtetërore ruse kanë publikuar pamje të një të plagosure 19-vjeçare, e identifikuar si Diana Shovkun, e cila thuhet se është goditur nga një pllakë betoni që u shemb gjatë sulmit.
Ndërkohë, nuk janë publikuar pamje të viktimave të pretenduara nga Moska.
Në zhvillime të tjera, autoritetet ruse raportuan se dy persona janë plagosur në portin e Novorosiysk në Detin e Zi, pasi mbetje dronësh shkaktuan zjarr në një depo nafte. Sipas tyre, disa ndërtesa janë përfshirë nga flakët dhe janë dëmtuar edhe banesa private në qytetin Anapa.
Ukraina ka deklaruar se sulmi i saj kishte në shënjestër selinë e njësisë “Rubicon”, duke akuzuar këtë njësi për goditje të shpeshta ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në territorin ukrainas. Autoritetet ukrainase thonë se veprimet e tyre po përqendrohen vetëm në objektiva ushtarake, në përputhje me rregullat e luftës.
Të enjten, 21 maj, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se është goditur edhe selia e shërbimit rus të sigurisë FSB në rajonin e pushtuar të Hersonit, duke pretenduar për rreth 100 të vrarë ose të plagosur. Nga pala ruse nuk ka pasur konfirmim zyrtar, megjithëse disa kanale pranë Kremlinit kanë raportuar për humbje.
Luftimet dhe sulmet me dronë mes dy vendeve vijojnë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ndërsa të dyja palët vazhdimisht akuzojnë njëra-tjetrën për goditje ndaj civilëve dhe infrastrukturës.





