Vjen largimi i radhës nga Teuta. Bëhet fjalë për sulmuesin Realdo Fili, autor i 7 golave në kampionatin e fundit. Pas Qaqit dhe Faust, edhe futbollisti fierak ka mbyllur bashkëpunimin me Teutën pas një viti. Sulmuesi ishte titullar që në momentin që erdhi te dy herë kampionët e vendit, në verën e 2023-shit. Fili nuk ishte në formacion vetëm në rastet kur ishte i dëmtuar. Ai e mbylli kampionatin me golin e fitores ndaj Dinamos në javën e fundit. Ajo ishte edhe ndeshja e fundit e fierakut me fanellën e Teutës. Filit i përfundon kontrata në qershor dhe palët kanë vendosur që të shtrëngojnë duart mes tyre. Përveç 7 golave, në ndeshjet që luajti me durrsakët sulmuesi dha edhe 6 asiste.

Me largimin e Filit, në dispozicion të trajnerit Martini për krahët e sulmit mbeten në skuadër Boçi, Çyrbja dhe Arifi. Fili u shpreh: “Ajo që ndiej është vetëm mirënjohje dhe falënderime pa fund për këtë familje të madhe që më hapi dyert. Ishte një sezon plot emocione, sfida dhe gola. Dua të falënderoj presidentin Edmond Hasanbelli për përkrahjen, trajnerin Edi Martini që besoi tek unë, shokët e skuadrës dhe tifozërinë durrsake që na mbështeti në çdo moment të mirë e të keq. Mirupafshim Teuta!”

Deri tani janë tre të larguarit nga skuadra durrsake, mbrojtësi Qaqi dhe dy sulmuesit Faust e Fili. Pritet që në vazhdim të ketë ndonjë firo tjetër. Në klubin durrsak janë duke punuar për Teutën e re dhe e kanë të qartë se kush duhet të ikë. Nuk janë shumë lojtarët e rrezikuar, ndërkohë që mund të ketë edhe ndonjë shitje. Brenda pak ditësh do të qartësohet situata për lojtarët e larguar, në mënyrë që ata të kenë mundësi të shkojnë në skuadra të tjera. Më pas pa dyshim që te Teuta do të ketë disa afrime.