Charles Leclerc e nisi dhe e përfundoi i pari Çmimin e Madh të Australisë. Piloti i Ferrarit siguroi fitoren e dytë në garën e tretë sezonale, teksa kampioni në fuqi, Max Verstappen, dhe Carlos Sainz, piloti tjetër i Ferrarit, përfunduan jashtë piste.Vetëm vendi i katërt për Lewis Hamilton.

Leclerc siguroi “pole position”. 24-vjeçari nga Montekarlo kreu një nisje perfekte, dominoi gjithë garën, nuk gaboi asgjë, dhe kryeson kampionatin me 71 pikë. Verstappen tentoi ta sulmonte pas futjes së “Safety Car” pas incidentit të Sebastian Vettel, por Leclerc rezistoi dhe nuk e humbi vendin e parë në pistën e Melburnit. Holandezi i RedBull përfundoi jashtë për shkak të problemeve në motor.Kjo ishte tërheqja e dytë në tre garat e këtij sezoni për pilotin tulipan. Në pod përkrah Leclerc u ngjitën Sergio Perez (Redbull) dhe George Russell (Mercedes), me këtë të fundit që u rendit një pozicion mbi Hamilton.

Renditja e përgjithshme kryesohet nga Leclerc me 71 pikë, më pas britaniku Rusell (37) dhe spanjolli Sainz i Ferrarit (33 pikë). 28 pikë dhe vendi i pestë për Hamilton, ndërsa Verstappen numëron vetëm 25 pikë.

Fituesi i Çmimit të Madh të Australisë, u shfaq i lumtur pas suksesit të dytë sezonal. “Çfarë makine fantastike, kjo ishte fitorja e parë në Formula 1 me Ferrarin ku kontrolluam avantazhin gjatë gjithë garës. Sigurisht që jemi vetëm në garën e tretë, por sinqerisht ne kemi një makinë shumë të fortë dhe shumë të besueshme. Shpresojmë të vazhdojmë kështu përpara. Nëse e bëjmë, padyshim që do të kemi shansin për të fituar kampionatin.

Dhe kjo na bën të buzëqeshim, pas viteve të fundit që kanë qenë të vështira për mua dhe për ekipin”, deklaroi Leclerc, i cili beson te fitimi i titullit botëror, me “kokëkuqen” që suksesin e fundit e ka regjistruar në vitin 2007 me Kimmi Raikkonen.