Një sasi tepër e madhe kanabis sativa është bllokuar nga policia në një operacion masiv antidrogë që u zhvillua gjatë natës në qytetin e Vlorës. Sasia e konsiderueshme e drogës u gjet në dy banesa në fshatin Llakatund.

Lënda narkotike ende nuk është peshuar e gjitha, por jozyrtarisht mësohet se bëhet fjalë për një ngarkesë rreth 15 ton kanabis sativa. Gjatë aksionit u sekuestruan edhe 5 armë zjarri kallashnikov. Disa persona janë shoqëruar në lidhje me tonelatat e drogës, ndërkohë që hetimet janë duke vijuar.

Pritet që Policia e Shtetit të japë informacione konkrete për këtë ngjarje.

Operacionin e përshëndeti edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, i cili në orët e para të mëngjesit shkoi në Drejtorinë e Policisë së Vlorës dhe falënderoi uniformat blu që morën pjesë në aksion. Gjatë fjalës së tij, Çako e konsideroi luftën ndaj drogës si një prioritet të qeverisë dhe që duhet përmbushur.